...
I tillë është edhe rasti i sotëm i trajtuar në Fiks Fare. Nëna e tre fëmijëve njeh në TikTok një zotëri 8 vite më të ri se veten. Sipas saj ajo bie në dashuri dhe lë burrin dhe 3 fëmijët dhe shkon të jetojë me të në stan.
Adriatik Kullolli e ka njohur para 8 muajsh në Tik Tok nënën e tre fëmijëve, prej të cilëve dy djem të moshës 14 dhe 6 vjeç dhe një vajzë 11 vjeç. Njohja u finalizua me takimin e tyre në 14 gusht, ku nëna e tre të miturve vendosi të lërë burrin e saj dhe fëmijët, me të cilët jetonte në Bilisht dhe shkoi te Adriatiku.
10 ditë pasi nëna kishte braktisur fëmijët dhe burrin për dashurinë e jetës, babai i fëmijëve ndërron jetë. Në këto kushte nëna rikthehet për të marrë fëmijët dhe i çon tek Adriatiku në stan në Mallakastër, duke i hequr nga jeta e tyre e mëparshme në Bilisht. Ata prej disa javësh jetojnë së bashku dhe jetën e tyre e bëjnë publike në Tik -Tok duke marrë qindra klikime.
Fiksi fillimisht u njoftua nga persona të tjerë për jetesën e fëmijëve të mitur dhe nënës së tyre me Adriatik Kullonin, person sipas tyre jo i besueshëm.
Fiksi udhëtoi drejt stanit në Mallakastër te Adriatiku, ku pa nga afër gjendjen. Fillimisht çifti i lidhur nga TikToku dhe fëmijët flinin të gjithë në një hapësirë, më pas Adriatiku ishte mundur të krijonte një si ndarje.
Për Adriatikun vizita e Fiksit nuk e surprizoi, pasi siç tregon dhe vetë tek ai kanë shkuar edhe punonjës të bashkisë të cilët duan t’i heqin fëmijët prej aty. Por askush prej tyre si Adriatiku apo nëna e fëmijëve nuk tregojnë arsyet sepse të miturit nuk duhet të jetojnë aty dhe sidomos me Adriatikun. Nëna thjesht shprehet se ka ndjekur zemrën dhe se 8 vite diferencë nuk janë problem, ”mosha në dashuri është numër këpuce”.
Fiksi kontakton me shërbimin social të bashkisë të cilët pohuan se kanë shkuar dhe e kanë parë gjendjen në të cilën jetojnë të miturit si dhe kanë vendosur bashkë me nënën e tyre e cila ka firmosur të largohen drejt Ballshit, gjë e cila ende nuk ka ndodhur. Pyetjes së Fiksit se pse është marrë ky vendim nga shërbimi social këta të fundit tregojnë se përveç kushteve aspak të favorshme për mirërritjen e fëmijëve, Adriatiku ka një të shkuar të errët dhe është i rrezikshëm. Edhe pse Fiksi këmbëngul për të marr vesh të vërtetën, por punonjësja e shërbimit social pohon se informacionet janë konfidenciale dhe nuk mund t’i bëjë publike.
Pyetjes se përse fëmijët lihen me një person nëse ai i rrezikon, shërbimi social tregon se nuk kanë mundur të gjejnë një zgjidhje më të shpejtë, por u zotuan se fëmijët do ta nisin shkollën në qytet. Fiksi mëson gjithashtu se as për zonjën apo edhe fëmijët nuk është bërë një raport vlerësimi psikologjik, pasi nuk kanë psikologe.
Fiksi e ndoqi rastin në ditët në vijim dhe pa se të miturit vitin e ri shkollor nuk e nisën në Ballsh siç u zotuar shërbimi social, por në fshatin ku jeton Adriatiku.
Pra edhe pse ishte marrë një vendim ai nuk ishte zbatuar. Fiksi ritelefonoi shërbimin social ku përgjegjësja pranon se fëmijët vazhdojnë ende të jetojnë në stan. Pyetjes së Fiksit se pse rasti në fjalë, kur personi me të cilët jetojnë të miturit rezulton i rrezikshëm, nuk është referuar në polici dhe prokurori përgjegjësja shmang pyetjen duke thënë se nuk mund të bëjë komente për rastin në fjalë. Pra tre të mitur jetojnë me të dashurin e nënës në kushte aspak të mira, e mbi të gjitha me një të dashur që për shtetin rezulton i rrezikshëm./TCH