...
Qindra mjete komunikimi shpërthyen në të njëjtën kohë në të gjithë Libanin dhe në pjesë të Sirisë mesditën e sotme, duke vrarë të paktën tetë persona, përfshirë anëtarë të grupit militant Hezbollah dhe duke plagosur ambasadorin iranian.
Aktualisht sipas asaj që njofton ministri libanez i Shëndetësisë pas shpërthimeve pati të paktën 8 të vdekur dhe mbi 2750 të plagosur, mes të cilëve dhe një vajzë 10-vjeçare.
“Rreth 2,750 njerëz u plagosën, më shumë se 200 prej tyre në gjendje kritike” shtoi Firass Abiad.
Ndërsa televizioni saudit al Hadath raportoi se në shpërthim u vra edhe djali i një deputeti të Hezbollahut libanez, Ali Ammar. Mes të plagosurve është edhe ambasadori iranian në Liban, Mojtaba Amani.
Ndërkohë një media e lidhur me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, raportoi se shtatë anëtarë të Hezbollahut u vranë në Siri nga shpërthimi i koordinuar. Viktimat ishin në lagjen Seyedah Zeinab të Damaskut, një bastion i shiitëve.
Zëdhënësi i qeverisë libaneze tha se qeveria e Bejrutit e konsideron Izraelin përgjegjës për sulmin dhe e konsideron atë një shkelje të sovranitetit libanez.
Ministri libanez i Informacionit Ziad Makary tha për gazetarët në Bejrut, se vendi i tij dënon “agresionin izraelit pas shpërthimeve”. Makary është përfaqësuesi i parë i qeverisë libaneze që akuzon drejtpërdrejt Izraelin.
Po kështu, edhe ministri i Jashtëm i Iranit ka dënuar ashpër atë që ai dhe zyrtarë të tjerë thonë se ishte një sulm izraelit.
Shpërthimet thuhet se u shkaktuan nga një sulm i njëkohshëm në pajisjet, nëpërmjet rrjeteve të komunikimit të brendshëm të Hezbollahut. Sipas burimeve izraelite të sigurisë, radiot që shpërthyen ishin modeli i fundit i përdorur nga Hezbollahu për disa muaj.
Në një video të shkurtër të një prej dhjetëra shpërthimeve të përhapura nga Libani në rrjetet sociale shihet një burrë i hutuar nga bipi i pager-it dhe i goditur menjëherë nga shpërthimi i pajisjes së lidhur në rripin e tij.
Hezbollahu tha në një deklaratë pasdite se pajisjet e përdorura nga njerëzit që punonin për institucionet e grupit filluan të shpërthenin “në mënyrë misterioze” dhe po kryen një hetim sigurie dhe shkencore për shpërthimet e njëkohshme.
Hezbollahu u bëri thirrje njerëzve që të mos dëgjojnë thashethemet që janë pjesë e “luftës psikologjike” pasi Izraeli kërcënon të ndryshojë faktet në terren përgjatë kufirit të tij verior.
“Rezistenca, në të gjitha nivelet e saj, është në gatishmëri të lartë për të mbrojtur Libanin dhe popullin e tij të palëkundur”, thuhet në deklaratë.
Mediat libaneze raportojnë se Ministria e Shëndetësisë e Bejrutit po fton njerëzit të dhurojnë gjak . Ministria u kërkon spitaleve në rajone të ndryshme të Libanit, ku është regjistruar një numër i lartë i të plagosurve, të ruajnë gatishmërinë maksimale dhe të koordinohen me ministrinë për t’i shpërndarë ato në zona të tjera.