... Nami.al

Dosja “Partizani”/ Veç pronave në Shqipëri, Malltezi bleu apartamente edhe në Europë

‘I sëmurë’ pas pronave imobilare, pasi ka blerë dhjetëra apartamente, toka dhe vila në Shqipëri ku ka ndërtuar dhe 19 kulla, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha rezulton të ketë blerë apartamente dhe në Europë të cilat janë mbajtur të fshehura duke mos u pasqyruar në deklaratat e pasurive të Argita Malltezit.

Në dosjen prej 500 faqesh SPAK ka verifikuar dhe transfertat bankare jashtë vendit që janë bërë nga Jamarbër Malltezi i marrë i pandehur për korrupsion pasiv dhe pastrim parash për aferën e privatizimit të kompleksit ”Partizani”.

“Përgjatë viteve Jamarbër Malltezi konstatohet se ka blerë prona jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë shtetit në Europë për të cilat nuk gjenden gjurmë në deklaratat e pasurive”, evidenton SPAK.

Rezulton se Malltezi nga viti 2018 deri në 2021 ka blerë prona në Budapest të Hungarisë me vlerë 155 mijë euro, pronë në Mynih, banesë me vlerë 395 mijë euro në Belgjikë dhe vajzës i ka blerë apartament në Rotermad të Holandës me çmim 360 mijë euro.

SPAK ka analizuar të dhënat e llogarisë personale të Jamarbër Malltezi në bankën U..B sh.a., me numër llogarie…….127 në monedhën euro, ku konstaton se janë kryer disa transferta dalëse të cilat nga përshkrimi i transaksioneve referojnë në pagesa për një pasuri të paluajtshme.

Prona në Budapest 155 mijë euro

Rezulton se në vitin 2018, Malltezi ka blerë në Budapest të Hungarisë një prone, pasuri të paluajtshme, në vlerën e 155 mijë eurove. Në dosjen e SPAK evidentohen tre transferta për këtë pronë.

Transferta e parë është bërë më 21.12. 2018 në shumën 15.530 euro, si pagesë e parë për kontratën e parashitjes dhe blerjes. Bëhet fjalë për një kontratë të firmosur 20.12.2018 me Adria Immobiliare Kft H.Dozsa Gjorgy Ut 86.B Budapest”.

Transferta e dytë është bërë po atë ditë më 21. 12. 2018 po në shumën 15. 530 euro me përshkrim “int outg mt nga llogaria Down Payment For Pre Sale And Purchase Contract Dt 20.12.2018 Red Pro Kft 1061 Andrassy 456 Budapest”. Pra, paradhënie për kontratën e shitblerjes dt. 20.12.2018.

Tranferta e tretë është bërë, 2 muaj më pas, më 20.02. 2019 në shumën 124.240 euro që ishte pagesa e pjesë së mbetur për kontratën e blerjes datë 20.12.2018. Po kështu gjatë vitit 2019 ka pagesa faturash ndër të tjera në ‘Andrassy Ut 55 Budapest 7 885 euro.

Transferta drejt Gjermanisë, Munchen

Nga analizimi i të dhënave bankare, nga llogaria bankare e Jamarbër Malltezi në U… Bank sh.a., me numër 11………. në monedhën euro, janë kryer transferta dalëse në total 137,000 euro drejt llogarisë së Jamarbër Malltezit (me adresë Schelling Str 24, 80799 Munchen, DE) në bankën Deutsche Bank Ag, Postbank Branch (Formely Deutsche Postbank Ag) (Frankfurt Branch) Bonn De.

Gjithsej rezultojnë për vitin 2021 të jenë 16 transferta, nga të cilat 4 me vlerë nga 4 000 euro, 4 me vlerë nga 4500 euro, 2 me vlerë nga 5 000 euro, 2 me vlerë nga 8 000 euro, 2 me vlerë nga 15 000, 2 me vlerë nga 15 000 euro, një me vlerë 22 000 euro dhe një me vlerë 25 000 euro.

Bleu banesë në Bruksel, Belgjikë 395 mijë euro pa tvsh

Në vitin 2021 dhëndri i Berishës, Abi, (siç ish-kryeministri e quan) rezulton të ketë blerë një pronë, apartament në katin e parë, një bodrum dhe parkingu në vlerën e 395 mijë eurove në Bruksel të Belgjikës.

Në dosjen e SPAK evidentohet si u bë blerja

Më 9 korrik 2021 Argita Malltezi para noteres Laura Pustina emëron Jamarbër Malltezin që ta përfaqësojë ne nënshkrimin e kontratës së kredisë bankare dhe çdo dokumenti tjetër të kërkuar nga banka, për miratimin dhe marrjen e kredisë në “U…B” në të cilën ajo do të jete kredimarrëse në vlerën 450.000 Euro…për qëllimin e kreditimit: “blerje shtëpie banimi të llojit “Apartament” ndodhur ne Bruksel, Belgjikë”.

Gjithashtu Malltezi autorizohet ta përfaqësojë në nënshkrimin e marrëveshjes së sigurisë mbi shumën prej Euro 475.000 (katërqind e shtatëdhjetë e pesë mijë) të gjendur në llogarinë bankare të Malltezit pranë kësaj banke për të garantuar kthimin e kredisë së sipërpërmendur.

Kur u bënë pagesat

SPAK evidenton se nga analizimi i të dhënave bankare në vitin 2021, në llogarinë bankare të Jamarbër Malltezi në U. B. sh.a., në monedhën euro, janë kryer katër transaksione/ transferta dalëse në total 460,000 euro drejt Gjermanisë si vijon:

Pagesa e parë: Datë 12.08.2021 në shumën 150,000 euro me përshkrim “Int outg mt nga llogaria payment for first installment loan for apartment purchase Jamarber Malltezi Schelling Str 24 Mynih”. Pagesa e parë për blerjen e një apartamenti.

Pagesa e dytë: Datë 16.08.2021 në shumën 150,000 euro me përshkrim “Int outg mt nga llogaria second isntallment of bank loan for purchase an apartment Jamarber Malltezi Schelling st. 24 Mynich”. Pagesa e dytë për blerjen e një apartamenti.

Pagesa e tretë: Datë 02.09 2021 në shumën 80.000 me përshkrim “Int Outg MT nga llogaria Buying apartment- 3rd installment Jamarber Malltezi Schellingstr. 24”. Pagesa e këstit të tretë për blerjen e një apartamenti.

Pagesa e katërt:Datë 07.09.2021 në shumën 80,000 euro me përshkrim “Int Outg MT nga llogaria Purchase apartment 4th installment Jamarber Malltezi Schellingstr. 24”. Pagesa e këstit të katërt për blerjen e një apartamenti.

Si është apartamenti i blerë 395 mijë euro në Bruksel

Në dokumentacionin e administruar ku është dhe kontrata rezulton se apartamenti ndodhet në katin e parë në bllokun e ndërtesës 8 në Bruksel. Apartamenti ka në përbërje një sallë hyrje, një dhomë ndenje-ngrënie me kuzhinë, një sallë nate, një tualet më vete, një dhomë lavanderi, dy dhoma gjumi, një banjo dhe tualet, një dhomë dush, një tarracë në bashkëpronësi dhe bashkëpronësi të detyruar 81/10,000 (ose 9.925) e sipërfaqeve të përbashkëta.

Po kështu në pronësi është dhe një bodrum, si dhe parkingun. Çmimi i shitjes së pronës është 395,000 euro (duke përjashtuar tarifat e regjistrimit, mbi vlerën e shtuar dhe tarifat e tjera tatimore)

Në vitin 2021 i bleu vajzës apartament në Rotermad të Holandës, 360 mijë euro

Nga analizimi I të dhënave në vitin 2021 janë kryer 4 transaksione në total 320 mijë euro për blerjen e apartamentit të vajzës Dasara Malltezi.

Pagesa parë: Datë 08.09.2021 në shumën 80,000 euro me përshkrim “Kalim vajzës për blerje apt-

Pagesa e dytë: Datë 09.09.2021 në shumën 80,000 euro – kësti 2 “.

Pagesa e tretë: Datë 10.09.2021 në shumën 80,000 euro kësti 3

Pagesa e katërt: Datë 14.09.2021 në shumën 80,000 euro kësti 4

“Transfertat dalëse janë drejt Holandës në llogarinë bankare të vajzëz Dasara Malltezi në Rotermdam”, thuhet në dosjen e SPAK. Gjithashtu SPAK thotë se ka të administruar dhe kontratën që rezulton se ‘çmimi i shitjes së pronës është 360 mijë euro”.

“Vlen për t’u theksuar se, shtetasja Argita Malltezi e cila është e vetmja nga familja Malltezi që bën deklarimin e pasurisë në respektim të ligjit nr.9049/2003 (bashkëshorti i saj ka deklaruar vetëm me periudha te caktuara si person i lidhur me të atin e vet), nuk deklaron të ardhurat, shpenzimet apo pasuritë e bashkëshortit dhe as pjesëmarrjen e tij si ortak në shoqërinë Homeplan sh.p.k., të cilat sipas Kodit të Familjes, i kanë në bashkëpronësi. Kjo bën që të humbasin gjurmët e të ardhurave të vërteta të familjes Malltezi apo shpenzimet e tyre reale, qoftë për pasuritë (blerje, mobilim, rikonstruksione) ashtu edhe për fëmijët e tyre”, thuhet në dosjen e SPAK./Shqiptarja.com