... Nami.al

SKANDALI në dyqanet “KFC”: Qytetarët shqiptarë konsumuan 1357 kilogramë mish pule me salmonelë

Në rrjetin e dyqaneve “KFC” në Shqipëri është shitur mish pule i infektuar me salmonelë.

Ky bakter shkakton kontaminimin e ushqimit, ndërkohe që personat e prekur nga salmonela kanë disa simptoma midis të cilave të vjella, dhimbje koke, të dridhura, gjak në jashtëqitje dhe infeksion të zorrëve.

Alarmin për mishin e pulës me salmonelë në rrjetin “KFC” e ka lëshuar portali “RASFF” i Bashkimit Evropian, i cili bën shkëmbim informacioni në kohë reale sapo konstaton risk në zinxhirin ushqimor.

Njoftimi është bërë në datën 8.7.2024, duke bërë me dije mishi i pulës i marinuar “KFC” me prezencë salmonele përbën risk me ndikim serioz për shëndetin e njeriut.

Televizioni “Ora News” iu drejtua Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) me një kërkesë për informacion ku u parashtruan pyetjet:

Sa ka qenë sasia e këtij produkti e importuar në vendin tonë?

Sa është sasia që u tërhoq nga tregu?

Ky institucion na bën me dije se: “Janë importuar 1535.04 kg mish pule dhe është bllokuar nga inspektorët e AKU-t vetëm 177.12 kg”.

Deri në momentin që është bërë bllokimi në dyqanet “KFC” është shitur 1357 kg mish pule me bakterin e salmonelës.

Edhe pse në faqen zyrtare “KFC” shprehet se tregon shume kujdes në përzgjedhjen e pulave dhe zinxhirin e furnizimit, nuk dihet çfarë ka ndodhur që dyqanet i kanë tregtuar për klientët mish pule me bakterin e salmonelës, i cili nga BE është cilësuar me risk serioz në shëndetin e njeriut.

Duke u nisur nga situata, televizioni “Ora News” ka kërkuar edhe një qëndrim nga rrjeti “KFC” në Shqipëri.

Përfaqësuesi i këtij rrjeti na bën me dije se pas marrjes së informacionit kanë bërë inspektime në magazina dhe kanë asgjësuar mishin e pulës me prezencë salmonele.

Edhe pse sasia e mishit të pulës me salmonele e shitur ka qenë 1357 kg përfaqësuesi i “KFC”-së në Shqipëri nuk mbajti asnjë përgjegjësi për tregtimin e një produkti që ka rrezikuar jetën e konsumatorëve.