...
Procesi i privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 4.3 milionë eurosh. Ky përfundim është arritur nga Prokuroria e Posaçme, të cilët kanë mbyllur hetimet dhe i kanë komunikuar akuzat Sali Berishës, Jamarbër Malltezit, Fatmir Bektashit dhe Xhimi Begejës.
Në dosjen hetimore prej 500 faqesh, thuhet se dëmi i shkaktuar ndaj shtetit është kryer për shkak të zhvlerësimit të ndërtesave që ndodheshin në tokën sportive, që më pas u kthye në tokë ndërtimi.
Sipas SPAK, dy anëtarët që ishin caktuar në komisionin e vlerësimit të ndërtesave të kompleksit “Partizani” kishin lidhje me Fatmir Bektashin, ndërtuesin, Argita dhe Jamarbër Malltezin. Në dosje thuhet se është paguar 53 milionë lekë për vlerësimin e ndërtesave nga 489 milionë lekë që ishte vlera reale.
Nga hetimet e dy prokurorëve Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai, në dosje thuhet se ndërtimi i kompleksit nuk është bërë vetëm në tokën që u takonte si pronarë, por dhe në një sipërfaqe tokë shtetërore rreth 857 metra katror, për të cilën nuk është paguar. Prokuroria e Posaçme pretendon se vlera e dëmit të shkaktuar është rreth 23 milionë lekë.
Dy prokurorët e SPAK pretendojnë se Malltezi ka marrë përsipër lejen e ndërtimit brenda 12 muajve nga nënshkrimi i kontratës. Ish-kryeministri Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi u njohën të mërkurën me akuzat e ngritura ndaj tyre. Të dy akuzohen për korrupsion pasiv të kryer në bashkëpunim, por Jamarmbër Malltezi ka një akuzë shtesë që është pastrimi i produkteve të veprës penale. I pandehuri tjetër Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion aktiv, ndërsa Xhimi Begeja për “pastrim parash”.