...
Një ndërhyrje kirurgjikale komplekse u realizua me sukses në QSUNT tek një paciente 29-vjeçare me një malformacion kongenital të rrallë (meningocele lumbare), të cilës i ishte refuzuar kirurgjia për vite për shkak të problemeve të rënda në lëvizshmëri dhe ndjeshmëri.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një postim në rrjetet sociale.
“Neurokirurgu Prof. Kita Sallabanda, pas një vlerësimi të kujdesshëm, ndërhyri për heqjen e një qeseje të madhe të mbushur me lëng, e cila pengonte jetën normale. Operacioni u zhvillua në dy faza: fillimisht u vendos një derivacion ventrikulo-peritoneal për uljen e presionit të lëngut trushpinor dhe sot në bashkëpunim me Neurokirurgun Prof. Artur Xhumarin dhe kirurgun plastik-rikonstruktiv Prof. Nardi Kolën, u realizua me sukses mbyllja kirurgjikale e meningoceles”, tha Koçiu.
Ministrja Koçiu u shpreh se ky operacion i rrallë për shkak të moshës së pacientes përfundoi me sukses të plotë, pa dëmtuar funksionet nervore dhe duke i dhënë 29-vjeçares një shans për një jetë më të mirë.