... Nami.al

“I përfshirë në operacionin e CIA-s për të vrarë Maduron”, Venezuela arreston marinsin amerikan

Tre amerikanë, dy spanjollë dhe një shtetas çek u arrestuan të shtunën, pasi zyrtarët venezuelianë i akuzuan se kishin ardhur në vendin e Amerikës së Jugut për të vrarë presidentin Nicolas Maduro. Arrestimet u njoftuan në televizionin shtetëror nga Diosdado Cabello, ministri i brendshëm i vendit.

Cabello tha se shtetasit e huaj ishin pjesë e një komploti të udhëhequr nga CIA për të përmbysur qeverinë venezueliane dhe për të vrarë disa anëtarë të udhëheqjes së saj.

Arrestimi i shtetasve amerikanë përfshinte një anëtar të Marinës, të cilin Cabello e identifikoi si Ëilbert Joseph Castañeda Gomez. Cabello tha se Gomez ishte një SEAL i Marinës që kishte shërbyer në Afganistan, Irak dhe Kolumbi. Kurse dy amerikanët e tjerë të arrestuar janë David Estrella dhe Aaron Barrett Logan.

Përveç amerikanëve, u arrestuan dy shtetas spanjollë; José María Basoa Valdovinos dhe Andrés Martínez Adasme dhe shtetasi çek, Jan Darmovzal. Autoritetet venezueliane kanë sekuestruar gjithashtu 400 pushkë amerikane të lidhura me komplotin e supozuar, tha ai.

Në programin televiziv, Cabello tregoi imazhe të armëve që ai tha se ishin konfiskuar nga disa prej komplotuesve të planit të supozuar.

Ministri i Brendshëm, Diosdado Cabello, pretendoi se komploti i supozuar ishte udhëhequr nga CIA dhe kishte për qëllim vrasjen e liderit të vendit Nicolás Maduro. Por Departamenti Amerikan i Shtetit e hodhi poshtë pretendimin si “kategorikisht të rremë”.

“Çdo pretendim për përfshirjen e SHBA në një komplot për të përmbysur Maduro është kategorikisht i rremë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin një zgjidhje demokratike të krizës politike në Venezuelë”, thuhet në deklaratë.

Njoftimi i arrestimeve vjen vetëm dy ditë pasi Thesari i SHBA vendosi sanksione ndaj 16 aleatëve të Maduros, të cilët u akuzuan nga qeveria amerikane për pengim të votimit gjatë zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale të 28 korrikut në Venezuelë dhe për shkelje të të drejtave të njeriut.

Tensionet midis qeverisë së Venezuelës dhe SHBA-së janë rritur gjithashtu pas zgjedhjeve, rezultati i të cilave shkaktoi protesta brenda Venezuelës, në të cilat u arrestuan qindra aktivistë të opozitës.