...
Pas 6 vitesh arrati, 52-vjeçari Agron Tufa iu është dorëzuar autoriteteve shqiptare për të vuajtuar dënimin me 30 vite burg për vrasjen e Kejsi Hysës në vitin 2018. Agron Tufa u arrestua në Itali në janar 2024, ndërsa sot u ekstradua nga autoritetet italiane në vendin tonë.
Ngjarja e rëndë e ndodhur në korrik të 2018 në Nikël të Krujës tronditi opinionin. Agron Tufa së bashku me Hysni Ramën vranë me armë zjarri 34-vjeçarin Kejsi Hysa dhe më pas i dogjën trupin e tij. Disa ditë më pas trupi i 34 vjeçarit u gjet i groposur në një parcelë buzë lumit në Nikël.
Në vitin 2021, Gjykata e Krujës e kishte dënuar Tufën me 30 vjet burgim, për vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim dhe për armëmbajtje pa leje.
Vrasja e Hysës ndodhi më 5 korrik 2018 brenda një parcele të mbjellë me hashash, ndërsa trupi i pajetë i të riut u gjet disa ditë më vonë. Atëherë policia arrestoi Hysni Ramën ndërsa nuk Agron Tufa arriti të largohej.
Kush ishte Kejsi Hysa
Kejsi Hysa është ekzekutuar në korrik të vitit 2018.
Kejsi Hysa, njihej ndryshe edhe me emrat Eljon Hysa dhe Sahit Hysa.
Gjithashtu në zon e Krujës njihej edhe si “Tik Fajdexhiu”, pasi jepte para me përqindje.
34-vjeçari që gjykohej në Sarandë për akuzën e vrasjes, dhe ishte në kërkim, qëndronte i lirë në këtë zonë në Krujë që sipas Prokurorisë ai kryente aktivitet kriminal në fushën e tregtimit të drogës dhe administronte një lokal, të quajtur bar “Nikla”.
Pikërisht në këtë lokal është njohur dhe me Hysni Ramën, me të cilin kishte krijuar një marëdhënie të ngushtë dhe besim shoqëror, duke i dhënë herë pas here sasi droge për ta mbajtur në ruajtje në banesën e tij. Për këtë shërbim, Hysni Ramën e paguante 100 deri në 200 euro.
Por hera e fundit që i ka dhënë 50 kg drogë për ruajte, nuk ka qënë e sukseshme, pasi sipas pretendimit të Hysni Ramës, sasia e drogës i ishte vjedhur nga persona të paidentifikuar.
Kur është vënë në dijeni të këtij fakti, Kejsi Hysa, ka filluar presionet shantazhet dhe kërcënimet për vrasje, nëse Rama nuk i jepte 15 mijë euro.
Ata kanë lënë një takim të fundit për t’u sqaruar dhe dhënë një pjesë të parave, dhe Hysni Rama i ka thënë se kishte arritur të grumbullonte vetëm 1 milion lekë të vjetra, Kejsi është revoltuar dhe ka bërtitur dhe më pas e ka sharë.
Ata janë përleshur me njeri-tjetrin dhe Hysa, ka nxjerrë pistoletën ja ka vënë në kokë, pasi ka ecur disa metra sipas të ndaluarit është dëgjuar një e shtënë arme dhe Kejsi ka rënë në tokë. Hysa është qëlluar nga Agron Tufa, që ishte një mik i përbashkët i Hysës dhe Ramës. Pasi kanë parë që Kejsi ka vdekur ata kanë vendosur ta groposin dhe më pas kanë shkuar dhe kanë luajtur bilardo.
Në vitin 2015 Kejsi Hysa ka vrarë Edmond Theodhorin. Së bashku me Enkeled Hysa, Ajman Zyba nga Laci dhe Ylli Reçi, Kejsi Hysa ka rrahur dhe më pas ka qëlluar me pistoletë biznesmenin, pas një konflikti që ky i fundit kishte me dy persona të tjerë.
Sapo e kanë parë, kanë rrethuar mjetin dhe i kanë thyer xhamat me shkop bejsbolli dhe me qytën e pistoletës, ku pas Kejsi Hysa i është afruar dhe ka qëlluar një herë me armë zjarri në drejtim të 32-vjeçarit Edmond Theodhori, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Për këtë ngjarje, Policia arrestoi në atë kohë Enkelejd Hysën, Ylli Reçin dhe Ajman Zybën, por 34-vjeçari Kejsi Hysa nuk u gjet.
Njoftimi i Policisë
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme me partnerët, për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, u ekstradua nga Italia në Shqipëri, shtetasi Agron Tufa, 52 vjeç, banues në Nikël.
Ky shtetas u kap në Bari, Itali, në muajin janar 2024, gjatë operacionit policor të koduar “Informacioni”, i finalizuar si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes Policisë së Shtetit dhe Policisë italiane.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndëkombëtar, pasi në vitin 2021, Gjykata e Krujës e ka dënuar me 30 vjet burgim, për vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim dhe për armëmbajtje pa leje.
Shtetasi Agron Tufa, në bashkëpunim me shtetasin H. R., ka vrarë me armë zjarri, në Nikël, Krujë, shtetasin K. H., dhe më pas e kanë djegur trupin e tij.