...
Për herë të tretë, deputetët e PS nuk zbatuan vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dërgimin e mandatit të socialistes Olta Xhaçkës për verifikim.
Pas një seance maratonë në Kuvend, 65 ligjvënës socialistë abstenuan, 9 votuan kundër dhe 25 deputetë të opozitës votuan pro.
Vetë deputetja Xhaçka nuk mori pjesë në votim edhe pse ishte e pranishme në sallë. Ndërkohë, 9 deputetët që votuan kundër ishin Jurgis Çyrbja, Bledi Çuçi, Damian Gjiknuri, Anduel Tahiraj, Paulin Stërkaj, Petro Koçi, Klodiana Spahiu, Shkëlqzim Bullari dhe Bujar Çela. Në votim nuk mori pjesë as kryeministri Rama, i cili nuk ishte i pranishëm fare në sallë.
Sapo përfundoi votimi, opozita përplasi tavolinat ndërsa e cilësoi një turp vendimin e socialistëve për të mos zbatuar urdhrin e Gjykatës Kushtetuese. Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali njoftoi në përfundim të seancës se do t’i drejtohet Komisionit të Venecias për mendim.
Opozita: S’kemi gjykatë kushtetuese
Spiropali: Teksa Kuvendi ka zbatuar gjithë procedura parlamentare për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, meqë ky vendim nuk miratohet, pasi nuk arriti shumicën e kërkuar nga ligji, nesër i drejtohem Komisionit të Venecias për mendim.
Opozita: T’iu vijë turp. Turp.
Kuvendi kërkon që t’i drejtohet Komisionit të Venecias për një mendim përfundimtar për të zgjidhur ngërçin, për çështjen e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka. Opinioni nga Komisioni i Venecias do të kërkohet për të qartësuar sjelljen me rastet që do të pasojnë, për të shmangur një tjetër përplasje mes dy institucioneve më të larta të shtetit shqiptar, Gjykatës Kushtetuese dhe Kuvendit.