...
Ambasada amerikane ka reaguar pas vendimit të Kuvendit për të mos dërguar mandatin e Olta Xhaçkës pranë Gjykatës Kushtetuese.
Pas Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, edhe ambasada amerikane shprehu shqetësim lidhur me këtë vendim.
“Ambasada e SHBA ndan shqetësimin e Delegacionit të Bashkimit Europian lidhur me vendimin e Parlamentit të Shqipërisë për të shpërfillur një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Siç vërejti kohët e fundit Kryetarja e Parlamentit, marrja e hapave të nevojshme për vendimet e Gjykatës Kushtetuese është përgjegjësi qendrore e Parlamentit dhe është gjithashtu jetike për ndarjen e pushteteve. Qeveria dhe institucionet duhet të respektojnë rregullat, ligjet, vendimet e gjykatave dhe kushtetutën – të gjitha të cilat janë aty për të siguruar që sistemi demokratik është i shëndetshëm dhe lulëzon”, thuhet ne reagim.
Më herët, edhe delegacioni i BE-së në Tiranë, shprehu shqetesimin e Brukselit per qasjen e shumicës në Kuvend.
“Ne kemi shprehur shqetësimet tona edhe në raportin e fundit mbi Sundimin e Ligjit në Shqipëri, lidhur me faktin që disa vendime të Gjykatës Kushtetuese nuk janë zbatuar nga Parlamenti, përfshirë edhe në lidhje me këtë çështje, ku vendimi i Gjykatës Kushtetuese daton më shumë se një vit e gjysmë më parë (janar 2023). Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti është një çështje thelbësore pasi lidhet me kontrollet dhe balancat institucionale në sistemin demokratik të vendit”, theksomte BE.
Për mandatin e deputetes Olta Xhaçka, Gjykata Kushtetuese është shprehur me dy vendime ku ka sanksionuar se trupa e saj është e vetmja që mund të shqyrtojë themelin e çështjes, arsye për të cilën Kuvendi duhet t’ia dërgojë për gjykim. Kryetarja Olta Zaçaj edhe publikisht deklaroi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese edhe për Kuvendin.
Socialistët pretendojnë se Kushtetuta u jep të drejtën të mos pajtohen me këtë qasje, ndaj dhe për të zgjidhur konfliktin, do të kërkojnë një opinion nga Komisioni i Venecias. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e quajti këtë vendim një “puç kushtetues”.