...
Kryeministri Edi Rama nga Kuvendi, i është përgjigjur akuzave të opozitës lidhur me importin e mbetjeve të rrezikshme nga Shqipëria drejt Tajlandës.
Ai u shpreh se teksa prokuroria është ende duke hetuar nëse ato mbetje janë ose jo të rrezikshme, nga opozita janë gjetur fajtorët.
“Jam këtu për t’ju përgjigjur një kërkesë për interpelancë, pas një seri fletrrufesh të ca akuzave dhe fantazie malinje, për të vijuar helmimin e shqiptarëve përmes kanalizimeve të botës digjitale. Burimi i kësaj telenovele të fundverës që u shfaq pas asaj ngjarjes së Pogradecit, ishte një sinjalizim për një transport mbetjesh të rrezikshme nga Shqipëria në Azi. Vet organizata ndërkombëtare jo qeveritare shprehet se ka dyshime për mundësinë që një sasi mallrash të nxjerra nga Shqipëria janë mbetje të rrezikshme, pra dyshime asgjë e vërtetuar, asnjë provë e faktuar ende, por vetëm dyshime. Qysh në fillim agjensitë ligjzabtuese i kanë konsideruar këto dyshime me vëmendjen e duhur me dhe vullnetin për të hetuar dhe ndërkohë që prokuroria vazhdon sot që të hetojnë, goja e politikës së urrejtjes ka ngritur akuza dhe ka caktuar fajtor dhe fajtori janë kriminelët e regjimit imagjinar me mua në krye”, tha ai.
“A është kryer eksport i mbetjeve të rrezikshme? Sipas të dhënave publike në çdo deklaratë e dokument të paraqitur nga privatët, është e qartë se eksporti i mallrave në fjalë nuk është eksport i mbetjeve të rrezikshme.
Pika doganore ka të bashkëngjitur certifikatën e analizës së mallit nga vendet europian. Në të dyja rastet, eksporti i mallrave, mallrat e deklaruara si okside hidrokside hekuri, janë eksportuar me të gjithë dokumentacionin përkatës përmes linjave kontinerike përkatëse. Janë magazinuar përkohësisht në vet e BE ku askush nuk i ka penguar.
Më pas janë lejuar të vijojnë intenerarin.
Mallra me klasifikim të tillë nuk konsiderohen mbetje të rrezikshme as në katalogët europianë.
Aludimi për mosveprim është në rastin më të mirë alogjik ose në rastin më të keq, aludim psiko-patologjik”, tha Rama.