... Nami.al

“Vuçiç nuk na frikëson”. Kosova miraton programin për mbrojtjen e përgjithshme

Qeveria miratoi Programin Kombëtar për Mbrojtjen Gjithëpërfshirëse të Republikës së Kosovës, i cili synon të ndërtojë reziliencën kombëtare në mënyrë që qytetarët të përgatiten të rezistojnë, reagojnë dhe rimëkëmben në raste të sulmeve të armatosura apo të fatkeqësive natyrore.

Ky program është edhe një alternativë tjetër nga ai i propozuar vite më parë nga Lëvizja Vetëvendosje për shërbim të detyrueshëm ushtarak.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, deklaroi se ky program vendos bazën e përgatitjes dhe edukimit të qytetarëve dhe institucioneve për rolin e tyre në sistemin mbrojtës, për të siguruar vijimësinë e funksionimit të furnizimeve dhe shërbimeve esenciale në raste krize.

“Me mbrojtjen gjithëpërfshirëse do t’i jepet secilit qytetar të vendit tonë, por edhe organizatave qeveritare që janë të fushës së sigurisë dhe ndihmës së parë apo ofrimit të shërbimeve emergjente, që të jenë pjesë e sistemit tonë mbrojtës dhe gjithashtu përmes mbrojtjes gjithëpërfshirëse do të qartësohet roli i të gjitha institucioneve”, tha ministri.

Maqedonci, duke komentuar deklaratat e fundit të presidentit serb Aleksandër Vuçiç, deklaroi se ky program është përgjigje për të gjitha kërcënimet e mundshme që i bëhen Kosovës, qoftë për luftë konvencionale ose jokonvencionale duke shtuar se nuk frikësohen nga askush.

“Kërcënimi i fundit nga presidenti Vuçiç nuk është diçka e re. Serbia në vazhdimësi ka kërcënuar sigurinë e vendit tonë dhe ne nuk frikësohemi nga këto kërcënime. Normalisht këto na bëjnë që të rrisim vigjilencën të jemi më të përgatitur por asnjëherë që të jemi të frikësuar”, tha Maqedonci.

Gjithashtu, ministri i Mbrojtjes tha se janë duke vazhduar procedurat e prokurimit për blerjen e sistemeve Javelin për Forcën e Sigurisë së Kosovës. “Në mars të këtij viti e kemi ekzekutuar pjesën e parë të pagesës për sistemin Javelin. Deri në fund të këtij viti do të ekzekutohet edhe kësti i dytë për sistemin Javelin dhe jemi në rrugën e duhur për të pasur këtë sistem në kohën e duhur në inventarin e FSK-së”.

Maqedonci konfirmoi se në vazhdimësi janë duke investuar edhe në pjesën infrastrukturore në mënyrë që të krijohen kushte sa më të mira për Forcës e Sigurisë së Kosovës.