... Nami.al

Simpatizantët e PD protestë para SPAK, Noka-Dumanit: Fundin do e kesh si Koçi Xoxe

Dhjetëra simpatizantë të Partisë Demokratike prej mëse një ore janë mbledhur për të protestuar para dyerve të SPAK, aty ku në orën 12:00 do të hyjë kryetari i kësaj force politike, Sali Berisha, të cilit do t’i komunikohet akuza për çështjen “Partizani”.

Berisha po pritet me brohoritje dhe thirrjen “O Sali o hero, gjithë Shqipëria ty të do”, ndërsa nuk mungojnë flamujt e Partisë Demokratike.

Për mediat foli Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, i cili akuzoi SPAK se i ka vënë shkelmin Kushtetutës dhe. Sipas tij, kreu i SPAK, Altin Dumani vepron në shkelje të ligjeve dhe për këtë arsye e cilësoi si “Koçi Xoxe i kohëve moderne”, që fundin e tij do e ketë pas hekurave.

“Opozita duhet të persekutohet dhe të sulmohet dhe jo narkoqeveria. Jo ata që vjedhin. Jo Erion Veliaj që vjedh 130 milionë euro me një të rënë të lapsit. Lekët e inceneratorit inekzistent. Ilir Beqaj arrestohet për të shfryrë pakënaqësinë e opinionit publik ndaj SPAK. Arrestohet për fatura restoranti dhe jo milionat euro të koncesioneve të shëndetësisë Këtu para narko-drejtësisë, kësaj organizate kriminale vijnë dhe bëjnë xhiro për t’i hedhur hi syve shqiptarëve gjithë qeveritarët, por për tu sulmuar, persekutuar dhe burgosur sulmohet lideri i opozitës dhe gjithë opozita në tërësi. A ka shqiptar që mund ta besojë se kjo ngrehinë këtu mban brenda individë që flasin në emër të ligjit dhe Kushtetutës, kur ata mbajnë fshehur prova kriminale për qeveritarët dhe sajojnë dhe m9ontojnë prova për opozitarët. Kjo është organizatë kriminale që nuk ka synim drejtësinë. I them Altin Dumanit që je një pasardhës i denjë i Aranit Çelës dhe Koçi Xoxes dhe fundin do ta kesh si Koçi. Në fund te ata që po çon pas hekurave do të shkojë vet”, tha Noka.

Sakaq, SPAK do të konkludojë sot 8 muaj hetime për ish-kryeministrin, i cili dyshohet se ka kryer veprat penale “korrupsion pasiv”, “shpërdorim detyre” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”.