... Nami.al

Ndërron jetë gazetari shqiptar pas operacionit të vështirë

Pas një sëmundje dhe ndërhyrje të vështirë mjekësore, është ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare gazetari Astrit Lulushi. Lajmi i ndarjes nga jeta të gazetarit, përkthyesit, shkrimtarit dhe veprimtarit të njohur, ka tronditur komunitetin e gazetarëve dhe miqve të tij, si brenda hapësirës shqiptare ashtu edhe jashtë saj.

Lulushi, i cili për dekada të tëra dha kontribut të rëndësishëm në fushën e medias, kulturës dhe letrave, ka lënë një boshllëk të ndjeshëm pas largimit të tij të papritur.

Ish-gazetar i “Zërit të Amerikës” për rreth 30 vite, Astrit Lulushi njihej për korrektësinë në profesion. Ai ishte një figurë me peshë në kulturën e diasporës shqiptare dhe një intelektual që mbeti model për përkushtimin e tij ndaj shkrimit dhe gazetarisë. Në karrierën e tij, Lulushi botoi 17 libra dhe la gjurmë të thella me veprimtarinë e tij letrare e publicistike, duke bashkëpunuar me media të shumta në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në vende të tjera.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, përmes një mesazhi në rrjetet sociale, i ka shprehur ngushëllime familjes, miqve dhe kolegëve të tij, duke e cilësuar humbjen e Lulushit si një goditje të madhe për komunitetin e gazetarisë dhe kulturës. Në njoftim, Lulushi cilësohet si “gazetari i korrektesës dhe erudicionit kulturor”, një qytetar me një ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe profesionalizmi.

“Pushofsh në paqe, miku dhe kolegu ynë i paharruar,” përfundon mesazhi i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë.