...
Lulzim Basha i është rikthyer jetës politike pas pushimeve, ndërsa në një konferencë për shtyp komentoi seancën e parë të sesionit të ri parlamentar edhe pse mungoi.
Një mesazh e kishte në veçanti për ish-bashkëpunëtorin e tij Gazment Bardhi, i cili e ‘dëboi’ në fund të sallës. Për Bashën kjo nuk tregon asgjë të re, përveçse betejën e Bardhit për karrige.
“Këtu ka rënë niveli i debatit politik, debat për karrige. Kjo është arsyeja madhore e divorcit, se ne këtë betejë se nisëm për karrige, por për ndryshim. Këtu s’ka asgjë të re dhe impresionuese, vazhdon sindroma e karrigeve, do përforcohet edhe më shumë. Se ata që i thonë sot PD, janë në dy grupe, PD me të tijët që e përdor si bunker për të mbrojtur veten e vet nga SPAK në Pazar me Ramën dhe grupi tjetër, janë një grup njerëz që për karrige e nisën dhe për karrige e vazhdojnë. Natën vërshon wiski, ngrenë dolli për fundin politik të Berishës me idenë se do i zënë vendin. Këta janë njerëz që ngritën kartonët për të liruar të korruptuarit e Ramës. Është vazhdimi i mjerimit të tyre”, tha Basha.
Lulzim Basha, foli edhe për skandalin e mbetjeve toksike. Ai tha se juristët e këtij grupimi politik po shohin mundësinë e dërgimit të çështjes së KURUM nga Prokuroria aktuale që po e ndjek, tek SPAK.
Ai tha se ajo që ka dalë është maja e ajzbergut për qindra ton helme që janë kapur duke u transportuar.
“Ekipi ynë i juristëve po shikon mundësinë e dërgimit të çështjes së KURUM-im nga Prokuroria aktuale që po e ndjek, tek Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion. Duke hetuar të gjitha aspektet që mund të përbëjnë bazë për ta konsideruar këtë si një vepër të një grupi të strukturuar kriminal me aspekte korruptive të zyrtarëve të lartë që janë juridiksion i SPAK. E keni parasysh se për çfarë bëhet fjalë. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për atë që ka plasur që është maja e ajsbergut për qindra ton helme që janë kapur duke u transportuar. Bëhet fjalë për praninë e këtyre helmeve në mënyrë të përditshme në Elbasan dhe në të gjithë vendin dhe rrezikun e tmerrshëm për pasojat e shëndetësore që kjo ka për qytetarët e Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë”, vijoi Basha.