... Nami.al

U dogj nga i shoqi, ky është çifti që terrorizoi Korçën, ministrja: Po bëjmë gjithçka pér të shpëtuar gruan

Melisa Trëndafili, 31-vjeçarja që u dogj me lëndë djegëse nga bashkëshorti i saj në Korçë, ndodhet aktualish nën kujdesin e mjekëve të shërbimit të Djegie-Plastikës në QSUNT.

Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu bën të ditur se mjekët e këtij shërbimi po bëjnë më të mirën e mundur për të.

“Mjeket e shërbimit të Djegie-Plastikës në QSUNT po bëjnë më të mirën e mundur për Melisën, vajzën, nënën e dy femijëve të vegjël nga Korça, e cila u sulmua sot në mënyrë brutale nga një “burrë” frikacak, që duhet të ishte krahë saj për ta mbështetur në rritjen e edukimin e fëmijëve, por që sot në mënyrë tinzare vendosi të kthehet në agresorin e saj, nënës së fëmijëve të tij.

E teksa inkurajoj institucionet përgjegjëse për ndalimin dhe dënimin maksimal të tij, i jam pranë me zemër familjes së Melisës. Askush nuk duhet të përjetojë një dhimbje të tillë.

Do të qëndrojmë kundër dhunës dhe mbështesim të gjithë ato gra që bëhen viktima të këtyre “burrave” që meritojnë ndeshkim maksimal. Kjo është një betejë që askush nuk e fiton dot vetëm, ndaj bashkë duhet të punojmë shumë e të bëjmë të pamundurën, të parandalojmë ngjarje si kjo e sotmja”, shkruan Albana Koçiu.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së shtunës në qytetin juglindor. 45-vjeçari Bledar Trëndafili, e lagu fillimisht bashkëshorten me të cilën ishte në proces ndarjeje, me benzinë dhe pasi i vuri flakën u largua nga vendi i ngjarjes.

31-vjeçarja e mori ndihmën e parë nga fqinjët e saj ndërsa bashkëshorti i saj është ende në kërkim nga policia.