... Nami.al

Rama mbledh sot qeverinë në Dajt: Çfarë do të diskutohet në mbledhjen 7 orëshe

Tashmë kemi hyrë në muajin shtator dhe pushimet kanë përfunduar edhe për politikën. Të parët që do t’i rikthehen me forca të plota aktiviteteve janë socialistët, në një mbledhje që do të zgjasë përreth 7 orë.

Kryeministri Edi Rama ka vendosur që këtë të diele të mbledhë në Dajt qeverinë, drejtuesit e organeve të varësisë dhe kryebashkiakët e majtë, në takimin që do të nisë nga ora 10:00 dhe përfundon në 18:00.

Përgatitjet për sesionin e ri parlamentar dhe një analizë e punës së bërë përgjatë 8 muajve nga socialistët në pushtet pritet të jenë në fokusin e mbledhjes.

Shtatori për socialistët, do të nisë kështu me llogaridhënie si brenda qeverisë ashtu edhe partisë, pasi mbledhjen e sotme të qeverisë do ta pasojë një mbledhjes më 8 shtator në Durrës e Asamblesë së re të dalë nga Kongresi i 28 korrikut.