... Nami.al

Shefi i CIA-s takohet me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti

Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, u takua sot paradite me kryeminsitrin e Kosovës, Albin Kurti.

Takimi nisi rreth orës 09:00 dhe Burns u pa duke u larguar nga ndërtesa e Qeverisë së Kosovës rreth një orë më vonë.

Ndërkohë Kryeministri Kurti gjatë kësaj jave ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik, përcolli nga afër Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.

Takimi dje me Osmanin
Një ditë më parë Burns u takua në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Në takim me presidenten mori pjesë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti.

Vizita është zhvilluar me masa të rrepta të sigurisë, ku policia detyroi gazetarët të mbanin distancë të madhe me pjesën ku lëvizte Burns, që është edhe pjesëtar i kabinetit të presidentit Joe Biden.

Vizita e Burnsit në Kosovë vjen në kohën kur ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti.

SHBA-ja dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian e kanë kritikuar disa vendime dhe veprime të ndërmarra së fundi nga Qeveria e Kurtit, që janë konsideruar si “të njëanshme” dhe “të pakoordinuara”. Deri tani askush nga palët nuk është deklaruar për media rreth vizitës së tij.

Ndërkaq, Departamenti amerikan i Shtetit i ka kërkuar Qeverisë Kurti që të rikthehet në “angazhim konstruktiv dhe të ngushtë” me Uashingtonin, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, teksa Uashingtoni po ashtu po kërkon që institucionet e Kosovës të mos e hapin për qarkullim urën mbi lumin Ibër, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë.

Burns ne Bosnje e Serbi

Në Sarajevë më 20 gusht, Burns u takua me drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës, Almir Xhuvo, dhe me anëtarët e Presidencës së Bosnjës, Denis Beqiroviç, Zhelko Komshiç dhe Zhelka Cvijanoviçit, anëtaren serbe të sanksionuar nga SHBA-ja. Sa i përket vizitës në Beograd, nuk dihet se me kë është takuar Burns.