...
Gjykata e Durrësit ka liruar nga qelia Rigels Rajkun, reperin e njohur me ermin e artit Noizy, i cili u arrestua disa ditë më parë në Shëngjin për llogari të autoriteteve në Kosovë, pasi dyshohet se ka dhunuar TikTokerin e njohur Medi Iseni, me 2 gusht në Pejë.
Noizy është lënë i lirë kundrejt garancisë pasurore 5 milionë lekë të rinj.
Vendimi është marrë sot nga Gjykata dhe sipas parashikimeve ligjore, garancia pasurore duhet të depozitohet brenda një afati 5 (pesë) ditor.
“Shtetasi Rigels Rajku do të qëndrojë me masë sigurimi “arrest në burg”, deri në depozitimin e garancisë pasurore.
Pas depozitimit të shumës përkatëse duhet të njoftohet menjëherë prokurori, i cili në çdo rast jo më vonë se 24 orë nga njoftimi për depozitimin e shumës së garancisë pasurore, duhet të verifikojë dokumentacionin përkatës, dhe të urdhërojë, sipas rastit, lirimin e menjëhershëm të personit nën hetim ose konfirmimin e masës së sigurimit “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
Ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Noizy së bashku me këngëtarin tjetër Arkimed Lushaj dhe D.J. Crax dhe disa persona të tjerë akuzohen se kanë dhunuar shtetasin Medi Iseni gjatë një koncerti të zhvilluar në një lokal nate në Pejë.