...
Ushtrua ukrainase është duke ndërtuar fortifikime në territoret e pushtuara në rajonin e Kurskut, Rusi, raportojnë mediat vendase.
Ushtarët ukrainas kanë arritur të marrin nën kontroll rreth 450 kilometra katror brenda Rusisë, pas një operacioni të befasishëm që nisi pesë ditë më parë.
Sipas raportimeve, ushtria ukrainase po ndërton fortifikime si dhe po minon zonën, me qëllim për ta mbajtur të pushtuar këtë territor sa më gjatë. Ndërkohë, trupa të tjera ushtarake nga Ukraina janë duke vijuar të hyjnë brenda territorit rus.
Po ashtu, raportohet se aktivitet luftarak nga forcat speciale ukrainase ka patur edhe gjatë natës në disa qyteza ruse.
Aktualisht mendohet se brenda territorit rus janë rreth 10 mijë ushtarë ukrainas të mbështetur nga mjete të rënda luftarake si tanke, sisteme tokë-ajër e të tjera.
Gjerësisht mendohet se pushtimi brenda Rusisë është ndërmarrë për t’i kërkuar në të ardhmen Kremlinit që të shkëmbejë territore, por gjithashtu edhe për ta detyruar ushtrinë ruse që të zhvendoset nga Ukraina brenda Rusisë.
Megjithëse informacionet janë të pakta, dhe kryesisht vetëm nga raportimet ruse, dyshohet se deri tani janë vrarë rreth 400 ushtarë rusë, mbi 200 janë kapur peng, ndërsa humbje ka pasur edhe në radhët e ushtrisë ukrainase.