...
Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ndodhet në një situatë të sikletshme, e shkaktuar nga një pushtim i papritur i territoreve ruse nga forcat ushtarake të Urkainës.
Ajo që u duk si një ndërhyrje për të shpërqëndruar trupat ruse, duket të jetë një pushtim i mirëfilltë i dhjetra fshatrave dhe qyteteve ruse në kufi me Ukrainën.
Situata është jo vetëm e sikletshme për Putinin dhe autoritetet më të larta ruse, por edhe shqetësuese, kjo pasi përllogaritet se ushtria ruse ka pësuar dëme të mëdha nga operacioni surprizë i ukrainasve.
Vetëm ditën e sotme, që është dita e katërt prej ndërhyrjes së forcave ukrainase në rajonin rus të Kurskut, raportohet se të paktën 100 ushtarë rusë janë vrarë në një autokolonë me 12 mjete ushtarake të shkatërruara, teksa ishin nisur të përforconin zonën.
Në Kursk, ushtria ukrainase ka çuar një numër jo të vogël ushtarësh, përllogaritet rreth dy batalione elitë me mbi 1000 trupa. Madje raportohet se ata kanë nisur të ndërtojnë tashmë edhe fortifikime.
Ndërhyrja nga ajri e ushtrisë ruse është thuajse e pamundur, për shkak të teknoligjisë së re me dronë që po përdor Ukraina, si dhe përfshirjes së sistemeve kundër-ajrore në këtë sulm.
Dhjetra-mijëra civilë rusë, në panik e sipër janë munduar të largohen duke marrë me vete sendet me vlerë, teksa autoritetet ruse raportohet se nuk po organizojnë ende evakuime të koordinuara në këtë zonë.
Aktualisht, raportohet se ushtria ukrainase po mban nën kontroll plot 430 kilometra katrorë tërritor rus.