...
Kryeministri Edi Rama ka vendosur të qëndrojë në Himarë në këtë periudhë të pushimeve vjetore, për të shijuar një ndër brigjet e kristalta të jugut, por dhe fitoren e freskët të socialistëve për bashkinë.
Që prej datës 4 Gusht kur u mbajtën zgjedhjet dhe Vangjel Tavo u shpall fitues me votat e himariotëve, Edi Rama ndodhet në bashkinë e bregut të jugut.
“Me Vangjelin, kryebashkiakun e Himarës, për punët në vazhdim, projektet e reja të këtij mandati dhe planin strategjik Himara2030 në Shqipërinë2030”, shkruan Edi Rama dhe ndan një foto me Tavon në një nga restorantet buzë plazhit.
Ajo që bie në sy, është blloku i shënimeve të kryebashkiakut të ri, i cili siç duket e ka marrë me vrull e pasion detyrën e re që i është besuar, duke nisur nga puna për projektet e reja me kryeministrin Edi Rama.
Bashkia e Himarës është qeverisur prej vitesh nga Partia Socialiste, por në zgjedhjet e 14 Majit të vitit 2023 ajo u fitua nga minoritari Fredi Beleri, i cili më pas u arrestua dhe dënua për shitblerje votash, gjë që i pamundësoi mandatin.
Më 4 gusht u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme dhe Vangjel Tavo u shpall fitues.