... Nami.al

“Lëvizjet” e Ramës në samit, nga takimi me Mitsotakis tek fotoja krah Zelenskyt

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë këtë të enjte në punimet e Samitit të Komunitetit Politik Europian, që po mbahet në Oxfordshire të Britanisë së Madhe.

Në foton familjare të samitit, shefi i qeverisë shihet në krah të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy dhe kryeministrit të ri britanik Keir Starmer.

Më herët shefi i qeverisë pati dhe takime me kryeministrin grek Mitotakis dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç.

Rama u takua me kryeministrin grek gjatë pushimit të punimeve të Samitit. Në foton e publikuar nga Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, Rama shihet në tavolinë duke konsumuar kafe, me kryeministrin grek dhe presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel.

“Blenheim Palace, Mbretëria e Bashkuar Në margjina të Samitit të Komunitetit Politik Europian, me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel dhe kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis”, shkruan ministrja.

Përpara fillimeve të punimeve të samitit, Rama duket se ka ndarë një bisedë me kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban, presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe presidentin bullgar Rumen Radev.

Fotoja u shpërnda në Instagram nga Vuçiç me mbishkrimin: “Nuk do të ishim ne të tre nëse nuk do të shkelnim të paktën një rregull. Edhe pse nuk është ora 17:00, këtu jam në një pushim të shkurtër me Orban, Aliyev dhe Radev me kafe (dhe çaj për mua). Edi Rama na u bashkua nga fundi. Do të jetë një ditë e gjatë dhe e lodhshme, por është gjithmonë më e lehtë me miqtë, pavarësisht se ku takoheni”, tha Vuçiç.

Konferenca e së enjtes është takimi i katërt i Komunitetit Politik Evropian, i iniciuar pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, ide e presidentit francez, Emmanuel Macron.

Është parë si një mundësi “shumë domethënëse” për kryeministrin e ri britanik, Keir Starmer që jo vetëm të presë deri në 50 liderë evropianë, por të rivendosë besimin në Mbretërinë e Bashkuar dhe t’i tregojë botës se vendi është kthyer në skenën ndërkombëtare pas viteve të dëmtimit të reputacionit të shkaktuar nga Brexit.

EPC është krijuar për të lehtësuar forcimin e lidhjeve midis liderëve të BE-së dhe atyre jo pjesë e BE me konferenca të mëparshme të mbajtura në Spanjë, Moldavi dhe Republikën Çeke.

Përshkrimi i imazhit