
...
Në një nga videot e publikuara nga atentati që u krye ndaj kandidatit për President të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ai mund të dëgjohet duke thënë: “Duhet të marr këpucët”.
Trump më pas shpjegoi se agjentët iu hodhën në trup me aq vrull për ta ulur në tokë, saqë ish-presidentit iu hoqën këpucët.
“Dhe, unë zakonisht i lidh shtrënguar”, tregoi Trump duke buzëqeshur në një intervistë të dhënë.
Ai ka komentuar edhe foton e famshme duke ngritur grushtin dhe duke thënë “luftoni” tre herë.
“Shumë njerëz thonë se kjo është fotografia më ikonike që kanë parë ndonjëherë. Ata kanë të drejtë dhe unë nuk vdiqa. Zakonisht duhet të vdesësh për të pasur një foto ikonike”, u shpreh ai në këtë intervistë.
Po ashtu, ai ndër të tjera falenderoi efektivët e Shërbimeve Sekrete për mënyrën si reaguan dhe i përgëzoi që arritën ta neutralizonin autorin.
Ndërkohë ish-agjenti i Shërbimeve Sekrete, Timothy Miller është shprehur për Newsday të BBC se zona duhej të ishte e blinduar nga forcat policore, sidomos në zonën ku ndodhej autori.
“Pasi u identifikua se në atë çati ishte një person i panjohur i armatosur, në një distancë prej 150 metrash nga presidenti, ekipet e kundër-snajperëve duhet të kishin ndërmarrë veprime menjëherë dhe siç duhet”, thotë ai.
“Dhe teksa e sheh çfarë ka ndodhur, kupton që gjithçka ishte dështim pas dështimi,” shton Miller.
Miller thotë se nëse ish-presidenti nuk do ta kthente pak kokën në anën e kundërt, personi i armatosur do ta kishte vrarë dhe “do të ishim duke komentuar një situatë shumë të ndryshme”.