
...
Më në fund paqe, edhe pse nuk mund të konsiderohet një hap përpara në karrierë. Thomas Strakosha ka firmosur për AEK Athinë duke u kthyer në Greqi pas 12 vjetësh. Portieri i kombëtares ka nisur sot zyrtarisht aventurën e re në karrierë, duke u bërë pjesë e klubit të AEK në Athinë, duke u larguar përfundimisht nga Brentford.
Portieri shqiptar i ka dhënë lamtumirën Anglisë ku nuk arriti të lërë asnjë gjurmë. Te Brentford, ku Strakosha u transferua nga Lazio, nuk arriti të merrte një vend si titullar. Prezencat ishin me pikatore dhe portieri shpreson që gjërat të ndryshojnë te AEK. Pikërisht 12 vjet më parë, Strakosha u largua nga Greqia për t’iu bashkuar akademisë së Lacios.
Klubi ka bërë njoftimin zyrtar në faqen e vet, duke sqaruar se portieri 29-vjecar shqiptar ka firmosur një kontratë afatgjatë deri në vitin 2029. “Unë jam shumë i lumtur që transferimi im te AEK u kompletua. Po pres me padurim që të nis stërvitjen dhe të jem në gatishmëri të trajnerit tim. Që nga sot nuk ka më fjalë, vetëm punë”, ishin fjalët e para të portierit Strakosha si futbollist i AEK.