... Nami.al

Shampanja që nuk u hap/ Rezultatet e zgjedhjeve shokojnë Francën

Zhgënjim në kampin e 28-vjeçarit Jordan Bardella, kandidatit për kryeministër të Francës i propozuar nga “Bashkimi Kombëtar” i ekstremit të djathtë të Marine le Pen. BBC publikoi tavolinën me shampanjën që nuk u hap pas daljes së exit poll-eve dhe që e projektojnë këtë koalicion në vendin e tretë.

28-vjeçari shpresonte të ishte kryeministri i ardhshëm i Francës, por duket se duhet të presë ende. Nëse këto exit poll do të rezultojnë të sakta, Bashkimi Kombëtar duket se nuk ka performuar aq mirë sa udhëheqësit e tij, dhe shumë analistë kishin pritur.

Koalicioni i krahut të majtë dhe ai i qendrës e kthyen në prioritet bllokimin e Bashkimit Kombëtar dhe kjo strategji duket se ka funksionuar. E djathta ekstreme e ka rritur shumë përfaqësimin e saj në parlament. Numri i vendeve të mbështetësve të Presidentit Macron është ulur ndjeshëm. Fituesit më të mëdhenj të këtyre zgjedhjeve ishin të majtët.

Jean-Luc Mélenchon, lideri i partisë së majtë radikale “Franca e papërkulur”, më e madhja në koalicionin e majtë Fronti i Ri Popullor iu drejtua mbështetësve të tij, duke pretenduar fitoren.

“E djathta ekstreme është larg shumicës sonte… Rezultati i zgjedhjeve është rezultat i një përpjekjeje madhështore mobilizimi. Presidenti duhet të përkulet dhe të pranojë se kjo është një humbje… kryeministri duhet të largohet” – tha ai.

Do të jetë interesante të shihet se cila do të jetë aleanca që të majtët do të bëjnë pasi të vetëm nuk mund ta formojnë qeverinë.