... Nami.al

“Shita Audin Q7, mund ta lë si garanci”| Beqaj dhe Kurtulaj kërkojnë lirinë në GJKKO

Në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po vijon të mbahet seanca e vlerësimit të masës së sigurisë “Arrest me burg”, ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe bashkëpunëtorëve të tij, Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikollaj.

Në seancë gjatë paraqitjes së mbrojtjes Beqaj ka kërkuar masën më të butë sigurie duke ofruar garanci pasurore me vlerë 5 milionë lekë.

Sa i takon makinës që SPAK se akuzon se është pronë e tij, por në emër të Ermal Kurtulaj, Beqaj tha se një automjet të tillë s’kishte pse ta fshihet pasi me të ardhurat që ka mund ta justifikojë.

Ai shtoi se nuk ka as patentë dhe as automjet dhe ndaj lëviz gjithmonë si pasagjer.

Për sa i takon përfshirjes së gruas si bashkëpronare në restorantin Gzona, Beqaj tha se iu kërkua nga një mik biznesmen për të tërhequr klientë të sferës së lartë.

“Unë gjithmonë hipi pasagjer se skam patentë. Një makinë të tillë mund ta përdor pa problem me të ardhurat që kam, mund të përballoj jo shpenzimet e kësaj makine, por disa të tilla me të ardhurat që kam, s’kam arsye ta fsheh.

Kur është futur bashkëshortja te “Gzona”, ishte fat që një mik i përbashkët kishte interes për të bashkëpunuar në biznes. Kjo për faktin se shihej si mundësi për të ofruar për shkak të njohjes me klientë të serës së lartë”, tha Beqaj.

Edhe Ermal Kurtulaj kërkoi masë më të butë sigurie duke lënë garanci pasurore automjetin tip Audi Q7 që sapo e kishte shitur.

“Sapo kam shitur automjetin Audi Q7, mund ta vendos shumën e parave si garanci pasurore”, tha ai.

Pasi përfunduan deklaratat e palës mbrojtëse GJKKO vendosi që seanca të shtyhet me 30 minuta.

Akuza, për të cilën është vënë në pranga Beqaj nuk lidhet me detyrën e tij si ministër Shëndetësie në vitet 2013-2017, por me postin që mbajti si drejtuesi i Agjencisë shtetërore SASCAP, e krijuar për të menaxhuar ndihmat e donatorëve të huaj, që nga viti 2021.

Masa e sigurisë ndaj Beqajt, është marrë me kërkesë të SPAK edhe për fshehje të pasurisë dhe pronësisë në një restorant emrin GZONA në “Kalanë” e Tiranës.