... Nami.al

I riu shqiptar rrezikon dënim me vdekje në Kinë, zbardhen detaje

Një i ri shqiptar rrezikon të dënimin me vdekje, si i akuzuar për përfshirje në trafik droge në Kinë.

Top Channel ka mësuar se prokurori i çështjes Hou Xiangdong në këtë proces gjyqësor, disa ditë më parë kërkoi dënimin me vdekje për të riun shqiptar me inicialet K.K i arrestuar si pjesë e një grupi kriminal.

Prokurori dënim kapital, kërkoi edhe për 5 të akuzuar të tjerë të këtij grupi prej 17 personash qytetar të Kinës dhe një tjetër Vietnamez.

Sipas policisë së Kinës, ata tentuan me një anije të nisur nga Hong Kongu, të fusin në shtetin komunist, 1 ton Kokainë cila ishte blerë në Amerikën Latine.

Në momentin kur panë se po i afrohej një anije e Rojës Bregdetare të Kinës, kapiteni i anijes Wu Duojian, udhëzoi gjashtë marinarët mes tyre edhe të riun shqiptar të hedhin në det pakot e drogës.

I riu shqiptar është 36 vjeç me origjinë nga një qytet në jug të Shqipërisë. Familjarët e tij, ishin në Kinë për të ndjekur procesin gjyqësor.

Burime i thanë Top Channel se procesi gjyqësor u zhvilluar në gjykatën e Guangzhou në datat 11- 14 qershor. Avokati i tij shpjegoi në sallën e gjyqit se ndaj shqiptarit me inicialet K.K, duhet të këtë një masë më të lehtë, me dënim me burg dhe jo dënimin me vdekje.

Sipas avokatit i riu shqiptar është viktimë e kësaj situate dhe nuk është organizator i trafikut të kokainës.

Nga të dhënat e mbledhura prej avokatit të shqiptarit përfshi dëshmitë e të arrestuarve të tjerë gjatë kohës që po transportohej droga, i riu shqiptar i punësuar si marinar në këtë anije. Ai e kishte kuptuar se ishte përfshirë në një grup kriminal momentin kur u urdhërua nga kapiteni anijes të hidhte në det sasinë e kokainës.

Avokati të riut shqiptar i tha gjykatës në Kinë se:

“Ai në asnjë moment nuk ka dhënë ndihmë në mënyrë të vetëdijshme për ngarkesën që po transportohej sepse nuk ka qenë në dijeni dhe për këtë punë. Ai është udhëzuar përmes një zonje me telefon satelitor që i ofroi punë dhe para për shpenzimet e udhëtimit. Ajo në asnjë moment nuk i ka bërë të qartë klientit tim shqiptar, që puna në të cilën ajo e kishte punësuar ishte drogë dhe jo mallra shërbimi sikurse pretendonte zonja”.

Avokati të riut shqiptar, i solli në vëmendje gjykatës edhe një argument tjetër.

“Ai duhet të ndiqet për gjykim nga gjykatat e drejtësisë së Hong Kong-ut, pasi bosi i vërtetë i krimit po gjykohet në Hong Kong dhe ai ka marrë masë më të lehtë ndëshkimi, atë të burgimit. Në këto kushte nuk ka se si të dënohet klienti im me vdekje kur ai në asnjë rast nuk është organizator i krimit përveçse viktimë dhe pre e mashtrimit të grupit organizator”.

Gjykata në Kinë pritet të japë vendimin për shqiptarin dhe 16 të arrestuarit e tjerë gjatë muajit korrik./TCH