... Nami.al

Djali i Fredi Belerit do të kandidojë për Bashkinë Himarë

Ndërsa ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri ditën e djeshme bëri rekurs në Gjykatën e Lartë në një vazhdim të përballjes së tij me drejtësinë, djali i tij Petro Beleri duket se ka vendosur të kandidojë për Bashkinë e Himarës në zgjedhjet e ardhshme.

Lajmin e ka pohuar sekretari i “Omonias” Marin Suli, në Top Neës, i cili tha se Fredi Beleri do të jetë sërish në fletën e votimit, përmes të birit.

“Në kulmin e sezonit turistik Himara është e mbytur nga plehrat. Himara është me rrugë të shkatërruara. Himara është e pa menaxhuar.

Himara drejtohet sot nga një i ri që para një viti e gjysmë e mundëm me votë brenda rregullave demokratike dhe drejtohet sot nga ai njeri që e kemi kallëzuar në bazë të raportit të KLSH, ka abuzuar me 10 milion Euro tendera, nga lekët tona.

Mos i harroni këto gjëra. Dhe meqë doni një ekskluzivitet, një nga kandidatët më kryesor mund të jetë prapë emri i Fredi Belerit po me një artificë ligjore. Të kandidojë i biri i tij. Kështu që në fletën e votimit prap zoti Rama, do lexojë Petro Dhionisios Alfred Beleris”, tha Suli.

Edhe pse është në pritje të një vendimi të formës së prerë nga Gjykata e Posaçme e Apelit, avokatët mbrojtës të Fredi Belerit krybashkiakut të zgjedhur të Himarës vijojnë betejën në Gjykatën e Lartë duke kërkuar rekurs të vendimit të prokurorisë së Vlorës që regjistroj procedimin ndaj tij.

Avokatët e Belerit pretendojnë se Prokuroria e Vlorës dhe ajo e Posaçme kanë keqpërdorur çështjen e dëshmisë së penalitetit për të akuzuarin, i cili sipas tyre është i rehabilituar ndërsa në dëshminë e dorëzuar nga prokuroria ne gjykatë ai rezultonte i dënuar. Beleri u zgjodh edhe eurodeputet në Greqi disa ditë më parë.

Përshkrimi i imazhit