Gjykata e Apelit i jep vulën e PD-së Sali Berishës

Gjykata e Apelit i ka dhënë vulën e Partisë Demokratike ish-kryeministrit Sali Berisha.

Trupa gjykuese vendosi të mos pranojë ankimimin e Enkelejd Alibeajt duke lënë në fuqi vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri.

Vendimi i trupës gjykuese, i cili përbëhet nga Alma Ahmeti, Iliba Bezati dhe Elona Toro, është i formës së prerë duke i dhënë fund pas 3 vitesh betejës ligjores në dyert e gjykatës për fatin e partisë më të madhe opozitare në vend.

Deputeti i PD-së, Flamur Noka në një deklaratë për mediat u shpreh kjo është një ditë e mirë për demokratët.

“Sot është një ditë e mirë për të gjithë demokratët. Zëri i tyre megjithëse në oazin e padrejtësisë u gjetën gjyqtarë më integritet që i dhanë zë të vërtetës që po zvarritej prej 3 vitesh.

E vërteta që janë demokratët ata që vendosin për PD.
Demokratët sot janë të bashkuar, sot vendimi i gëzon ata, por sot është një ditë e e keqe për regjimin.

Një opozitë e përcarë ka marrë fund, sot Shqipëria ka një PD të vërtetë dhe një opozitë të bashkuar dhe të vërtetë”, tha ai.