Gjendet në ujërat e lumit Lana një person, ndërron jetë në spital

Një 40-vjeçar është gjetur në gjendje të rëndë për jetën në ujërat e lumit Lana në kryeqytet.

Përmes një komunikate për media, policia bën me dije se 40-vjeçari ka ndërruar jetë edhe pse është transportuar në spital për të marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor.

Ngjarja e rëndë raportohet të ketë ndodhur ditën e hënë, ndërkohë që nga veprimet e para hetimore, dyshohet se personi në fjalë vuante nga probleme të shëndetit mendor.

Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Tiranës, ndërkohë që vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

“Ditën e djeshme, është konstatuar në ujërat e lumit Lana, shtetasi E. D., 40 vjeç, i cili pasi është transportuar në spital, për ndihmë mjekësore, ka humbur jetën. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas vuante nga sëmundje të shëndetit mendor dhe ishte perdorues i lëndëve narkotike. Punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.