Përçarje mes demokratëve? Argita Malltezi: Belind Këlliçi nuk më do në krye të PD-së!

Argita Malltezi, vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha ka folur lidhur me angazhimin e saj në politikë si dhe është ndalur te personat të cilët nuk e duan atë në krye të demokratëve.

Duke ritheksuar edhe njëherë që ambicia e saj nuk është posti i kryetares së Partisë Demokratike, Malltezi tha se aktivizimi i saj në politikë ka ardhur vetëm për faktin që të përcjellë zërin e babait dhe bashkëshortit të saj, Jamarbër Malltezit.

Sipas saj me urdhër të kryeministrit Edi Rama ndodhen prej muajsh në “arrest shtëpie”.

Gjithashtu, vajza e liderit të demokratëve tregoi se mes bluve ka shumë persona të cilët dëshirojnë që ajo të kandidojë për postin e kryetares, ashtu si dhe ka të tjerë të cilët kanë një tjetër mendim, siç është Myslim Murrizi dh Belind Këlliçi.

“Arsyeja pse kam dalë tani është për ti dhënë zë kësaj beteje politike që babai dhe bashkëshorti im nuk i japin dot për shkak të një vendimi të padrejtë gjykate. Rikthimi i Berishës në liri nuk do e bënte të nevojshme daljen time politike. PD ka një pjesë njerëzish që ndoshta do më shihnin më të favorshëm nëse do kandidoja, por ka edhe mendje ndryshe siç janë zoti Murrizi dhe zoti Këlliçi”, tha Argita Malltezi për Vizion Plus.
Më tej ajo u pyet lidhur dhe me mendimin e vëllait të saj, Shkëlzen Berishës, sa i përket përfshirjes së motrës së tij në politikë.

“Shkëlzen Berisha është njeriu që më ka shtyrë gjithmonë për këtë gjë”, tha ajo duke zbuluar kështu që i vëllai është shtysa më e madhe në këtë rrugë.