Dhunoi gruan dhe e kërcënoi se do e vríste, vihet në pranga 50-vjeçari në Dibër

Policia e Dibrës ka vënë në pranga një 50-vjeçar pasi ai ushtroi dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij dhe e kanosi se do ta vriste. Gjatë operacionit u sekuestruan 2 armë zjarri dhe municion luftarak.

Njoftimi i policisë:
Falë ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Dibër, u parandalua një ngjarje e rëndë kriminale në familje. Finalizohet operacioni policor i koduar “Sllova”, sekuestrohen 2 armë zjarri dhe municion luftarak.

Ushtroi dhunë fizike ndaj bashkëshortes dhe e kanosi se do ta vriste, me armë zjarri, arrestohet në flagrancë 50-vjeçar.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, pas njoftimit për një shtetas në fshatin Vleshë, që po dhunonte bashkëshorten dhe po e kanoste se do ta vriste me armë zjarri, që ai i mbante në banesë pa leje, në kuadër dhe të operacionit “Sundimi i Ligjit”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Sllova”, ku u parandalua një ngjarje e mundshme kriminale.

Falë ndërhyrjes në kohë, shërbimet e Policisë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin R.H., 50 vjeç, banues në fshatin Vleshë, njësia Administrative Sllovë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ka ushtruar dhunë fizike në mënyrë të përsëritur ndaj bashkëshortes së tij, si dhe e ka kanosur se do ta vriste me armë zjarri.

Gjatë kontrollit në ambientet e banesës së 50-vjeçarit, janë gjetur të fshehura në murin rrethues të banesës dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri pushkë, 5 krehra dhe 267 municion luftarak. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.