BIRN: Meloni- Rama, fushatë dhe akuza nga “kampi-burg” i emigrantëve në Shëngjin

Në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Europian, kryeministrat Giorgia Meloni dhe Edi Rama inauguruan qendrën pritëse të rrethuar me kangjella të larta metalike në portin e Shëngjinit, duke adresuar akuza për opozitën dhe median në Itali.

Me kangjellat metalike gati katër metra të larta dhe një qen anti-ekploziv që kryente kontrolle rutinë në çantat e gazetarëve, e ashtuquajtura qendër pritjeje për refugjatët i ngjante një kapanoni burgu të mërkurën në portin e Shëngjinit.

Brenda ambienteve të qendrës, gazetarët, kamermanët dhe fotografët u ngjeshën pas gardhit metalik në përpjekje për të kapur pamjet e kryeministrave të Italisë dhe Shqipërisë, që improvizuan këtu një konferencë për shtyp.

Koha e inaugurimit dhe e konferencës me gazetarët nuk dukej rastësore për asnjërin prej protagonistëve.

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni zbriti në Shëngjin pak orë përpara se në vendin e saj të hapen qendrat e votimit për zgjedhjet e Parlamentit Europian, ku çështja e emigracionit të paligjshëm është një temë e nxehtë debati.

Në anën tjetër, kryeministri Rama u përqendrua në fjalën e tij te mbrojtja ndaj akuzave të ngritura nga emisioni investigativ, Report në RAI 3 për korrupsionin dhe lidhjen e qeverisë së tij me krimin e organizuar.

Edhe pse Meloni mbërriti në Shëngjin për të inauguruar qendrën, ajo pranoi se puna nuk mund të fillonte ende pa simotrën që pritet të ndërtohet në Gjadër. Kjo e dyta sipas Melonit fillonte punë në 1 gusht.

Megjithatë, Meloni e shfrytëzoi pjesën më të madhe të konferecës për shtyp për të sulmuar rivalët e saj në Itali, të cilët i akuzoi se po hidhnin baltë mbi marrëveshjen, Shqipërinë dhe kryeministrin shqiptar, të cilit ajo iu drejtua miqësisht si Edi.

“Do doja t’i thoja kryeministrit Rama sepse në fakt nuk është ai shënjestra,” tha Meloni, për të nënkuptuar se akuzat në fakt ishin pjesë e luftës politike të brendshme në Itali.

Në përgjigje të pyetjes nga një gazetar i së përditshmes “La Repubblica”, Meloni këmbënguli se ishte këtu si kryeministre dhe se nuk po bënte fushatë.

“Ata duan që unë të zhdukem, por kjo nuk është e mundur,”, tha Meloni duke iu referuar opozitës në Itali.

Njësoj si Meloni, edhe Rama këmbënguli se akuzat ndaj qeverisjes së tij ishin një sulm ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.

“Duhet të kenë turp, pra të turpërohen të gjithë ata që të drejtën demokratike për të kundërshtuar këtë marrëveshje, e kanë shndërruar në një abuzim të pushtetit të katërt dhe kjo në kurriz të shqiptarëve, të Shqipërisë dhe të vetë publikut italian,” tha Rama.

Riccardo Magi, deputet i qendrës së majtë në Itali dhe drejtues i lëvizjes “More Europe” – në opozitë me forcat e së djathtës që përfaqësohen nga Meloni, akuzoi se konferenca dhe inagurimi ishin “një shfaqe elektorale”, që do u kushtonte taksapaguesve italianë deri në 1 miliard euro në pak vite.

“Sepse ka një vlerë politike për Melonin, t’u tregojë italianëve që ajo po i mban emigrantët larg,” tha Magi për BIRN, pak para se Rama dhe Meloni të mbërrinin në konferencë.

Magi ngriti shqetësime se trasferimi i refugjatëve në Shqipëri cënonte liritë e këtyre të fundit dhe se premtimi që personat vulnerabël, gratë apo fëmijët nuk do të silleshin në Shëngjin, nuk mund të mbahej, pasi procesimi i tyre do duhej të bëhej në det të hapur.

Qendra pritëse në portin e Shëngjinit së bashku me kampin në Gjadër iu dhanë Italisë nga qeveria shqiptare pas një protokolli mes Ramës dhe Melonit të nënshkruar në vjeshtë të vitit të shkuar. Protokolli parashikonte që transferimi i emigrantëve drejt Shqipërisë të fillonte në maj, por Meloni i pranoi vonesat dhe i justifikoi ato me qëllimin për të bërë një punë më të mirë.

Kryeministrja e Italisë ironizoi kundërshtartët, duke thënë se në një anë ankoheshin se po ndërtohej një “Guantanamo” në Shqipëri dhe në anën tjetër e kritikonin pse “Guantanamo nuk po përfundonte shpejt”.

Meloni theksoi më tej se të drejtat e njeriut do të respektoheshin në këto qendra dhe se plani mes Italisë dhe Shqipërisë kishte tashmë “mbështetjen e 15 qeverive të Bashkimit Europian”.

Meloni pretendoi gjithashtu se shqetësimet e opozitës italiane për shpenzime të mëdha parash nuk qëndronin, ndërsa tha se qëllimi kryesor ishte dekurajimi i refugjatëve, që sipas saj do të kursente para. Meloni nuk harroi që nga Shëngjini të akuzonte qeveritë parardhëse se kishin shpërdoruar miliarda për shkak të ligjeve të shkruara keq.

Kryeministri Edi Rama po ashtu e mbrojti marrëveshjen dhe kampin. Në përpjekje për të justifikuar premtimin e tij se kampe të tilla nuk do të ngriheshin asnjëherë në Shqipëri, Rama tha se ky ishte një përjashtim i bërë vetëm për Italinë. Ai tha se kishte marrë kërkesa nga vende të tjera, por që ishin refuzuar.

Në fund të takimit, deputeti Magi protestoi me mesazhin “Jo Guantanamos italiane”, por u ndalua nga truprojat ndërsa i bllokoi rrugën makinës së Melonit.

“Bëtë viktimat për një orë pa iu përgjigjur asnjë pyetje se si do të funksionojë kjo qendër,” tha Magi në debat me kryeministren italiane. “Nëse kjo i ndodh një parlamentari, imagjinoni se çdo t’u ndodhë atyre emigrantëve të mjerë që do të mbyllen këtu brenda,” përfundoi ai. /Marrë nga Reporter.al