Sulm me thikë në Gjermani, plagoset kandidati i ekstremit të djathtë

Heinrich Koch, kandidat lokal i partisë së të djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD), u plagos në një sulm me thikë në Mannheim të martën në mbrëmje. Sipas zëdhënësit të AfD, Koch u përball me një person që po hiqte posterat e partisë dhe pas një përplasje fizike ai e goditi me mjetin prerës.

Në një video të incidentit, që u sigurua nga AfD, shihet agresori duke vrapuar me disa postera të AfD nën krah, ndërsa Koch e ndjek atë nga pas. Koch pësoi lëndime në vesh dhe bark. Politikani është kandidati i tretë në listën e AfD për zgjedhjet e këshillit lokal që mbahen më 9 qershor.

Ky sulm ndodhi vetëm disa ditë pasi një oficer policie 29-vjeçar u vra në një sulm tjetër me thikë gjatë një demonstrimi anti-Islam në të njëjtin qytet. Agresori, i cili besohet të ketë emigruar nga Afganistani në Gjermani në vitin 2014, u qëllua dhe u plagos në vendngjarje.