
...
Kryetarja e komanduar e Bashkisë Himarë, Blerina Bala, ka dhënë dorëheqjen mëngjesin e kësaj të mërkure.
Nami.al ka siguruar dhe letrën e dorëheqjes të Balës e cila sapo është protokolluar.
Në letrën drejtuar, anëtarëve të Këshillit Bashkiak, si dhe qytetarëve të Himarës, Bala, bën me dije se dorëheqja lidhet me shkaqe personale të cilat kërkojnë kohën dhe vëmendjen e saj të plotë, duke ia pamundësuar drejtimin e bashkisë.
DEKLARATA E PLOTË E DORËHEQJES:
Të nderuar banorë të Himarës!
Të nderuar anëtar të Këshillit Bashkiak Himarë!
Ndjehem e nderuar dhe e privilegjuar që mu dha mundësia të drejtoja Bashkinë Himarë për këtë periudhë aq sa të vështirë dhe të mrekullueshme për mua.
Gjatë kësaj kohe jam përpjekur të punoj me përkushtim dhe e palëkundur, për të trajtune dhe zgjidhur çështjet që janë paraqitur para meje.
Sidoqoftë për shkaqe personale që kërkojnë kohën dhe vëmëndjen time të plotë, me keqardhje ju njoftoj pamundësinë time për të vazhduar detyrën e Kryetares së Bashkisë Himarë që mu besua dhe nga Këshilli Bashkiak Himarë.
Me këtë letër, sot zyrtarisht paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga pozicioni i Kryetares së Bashkisë Himarë.
Dua të shpreh falenderimet dhe mirënjohjen më të thellë stafit të Bashkisë Himarë, Këshillit Bashkiak Himarë dhe cdo banori të Himarës për mbështetjen dhe për vlerat njerëzore që kemi ndarë gjatë kësaj periudhe.
Përulësisht kërkoj të pranoni mirënjohjen time të sinqertë, për bashkëpunimin dhe për cdo gjë që kemi arritur së bashku.
Me respekt, Blerina Bala!
Blerina Bala u zgjodh kryetare e komanduar e bashkisë më 29 mars me vendim të Këshillit Bashkiak.
Ajo zëvendësoi në këtë post, kryetarin në detyrë Jorgo Goro, i cili u dorëhoq pas arrestimit me urdhër të SPAK nën akuzën për tjetërsimin e pronave në bregdet.
Sakaq, kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, është në burg që prej 12 majit të vitit 2023 dhe ende nuk është lejuar të kryej betimin.
Me dorëheqjen e Balës, Himara, mbetet sërish pa drejtues, ndërsa sipas ligjit për funksionimin e pushtetit vendor, do të jetë Këshilli Bashkiak i Himarës që do të mblidhet për të votuar dhe komanduar një tjetër kryetar deri sa të mbahen zgjedhjet.