Goditet mafia në Itali! Shqiptari bashkëpunëtor me Ndraghetën mes 28 të arrestuarve

Autoritetet ligjzbatuese në Romë kanë ekzekutuar të martën një operacion anti-drogë ndaj një konsorciumi kriminal, ku ishte i përfshirë edhe një grup trafikantësh shqiptarë.

Sipas mediave lokale, Prokuroria e kryeqytetit italian në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Antimafias lëshuan 28 urdhër-arreste për anëtarët e grupit, të udhëhequr nga shtetasi italian Marçelo Kolafili, një figurë e rëndësishme e botës romane të krimit në vitet ’80.

Sipas burimeve, organizata trafikonte sasi të mëdha droge nga Spanja dhe Kolumbia dhe bashkëpunonte me organizatat mafioze si Ndrangheta, Kamorra dhe një grup kriminal shqiptar, me bazë në Amerikën Latine.

Autoritetet italiane saktësojnë se fraksioni shqiptar ishte bërë pjesë e një karteli amerikano-jugor droge, me bazë në qytetin kolumbian të Turbos.

Shtetas shqiptar ishte edhe ai që në emër të grupit kriminal tashmë të asgjësuar kishte shkuar të negocionte me kolumbianët një ngarkesë kokaine me vlerë 40 milionë euro.

Në një përgjim të kryer në kuadër të hetimeve, personi në fjalë fliste për vështirësitë për të hyrë ilegalisht në shtetin kolumbian dhe për praktikat e trafikantëve për t’iu shmangur kontrolleve fizike, por edhe elektronike të policisë, si dhe për përdorimin e telefonave satelitorë dhe të armëve të zjarrit në rast rreziku.

Krahas bosit Kolafili, ish-eksponent i bandës famëkeqe romane të viteve ’80, Banda e Malianës, personat e tjerë që ranë pre e urdhër-arresteve janë 22 shtetas italianë, 2 shqiptarë, 1 kosovar, 1 maqedonas dhe 1 kolumbian.