Shqipëria nis “nxehjen” për Euro 2024, kuqezinjtë në fushë për miqësoren e parë

Shqipëria prej disa ditësh tashmë ka nisur grumbullimin në kuadër të Europianit që starton më datë 14 qershor në Gjermani.

Kuqezinjtë, janë pjesë e një grupi mjaft të fortë ku bëjnë pjesë Italia, Spanja dhe Kroacia. Megjithatë, të besuarit e trajnerit Sylvinho nuk do të dorëzohen pa luftuar më parë dhe po punojnë që të arrijnë një rezultat historik.

Përveç stërvitjes, Shqipëria ka programuar edhe dy miqësore, e para e ajo e ditës së hënë ndaj Liehtenshtejnit. Një ndeshje e cila do të zhvillohet në Hungari (Haladás Sportkomplexum) duke nisur nga ora 20:00 dhe që pritet t’i shërbejë teknikut brazilian për të kuptuar më mirë gjendjen fizike të futbollistëve të grumbulluar.

Pritet që formacioni të pësojë ndryshime me Sylvinhon që edhe në konferencën për shtyp para ndeshjes, paralajmëroi se në fushë do të hedhë futbollistët që kanë luajtur më pak. Në tre përballjet e mëparshme ndaj Liehtenshtejnit, Shqipëria ka fituar dhe në të treja ndeshjet me rezultatin 2-0.

Pas kësaj miqësore, kuqezinjtë do të zhvillojnë edhe testin e dytë miqësor ndaj Azerbajxhanit më datë shtatë qershor për t’u përgatitur më pas për Europianin që do ta hapin ndaj Italisë më datë 15 qershor. /Supersport