Përmbytjet masive në Gjermani dhe Itali, raportohen disa të zhdukur

Pjesë të ndryshme të Gjermanisë dhe Italisë janë goditur nga reshjet intensive të shiut duke shkaktuar përmbytje masive dhe duke bërë që qindra njerëz të evakuohen nga banesat e tyre. Sipas informacioneve të deritanishme disa banorë të zonave të prekura nga përmbytjet janë raportuar të zhdukur.

Në Gjermani, pjesë të jugut të vendit, për shkak të reshjeve ekstreme dhe rritjes së nivelit të ujit janë nën paralajmërim për përmbytje. Komunitetet më të prekura priten të jenë Fischach dhe Langenneufnach.

Rajoni i Liqenit të Konstancës është gjithashtu nën rrezik përmbytjesh. Rreth 1,300 njerëz janë këshlluar nga forcat e emergjencës të evakuohen. Lumenjtë që rrezikojnë të dalin nga shtrati janë gjithashtu nën vëzhgim, më në veri në Danub dhe degët e tjera të tij.

Ndërkohë në Itali, mediat lokale raportojnë se tre të rinj janë zhdukur që nga pasditja e së premtes për shkak të përmbytjes së lumit Natisone në verilindje të vendit. Ata kishin kërkuar ndihmë, por rritja shumë e shpejtë e nivelit të ujit e bëri të pamundur shpëtimin. Tashmë ata raportohen të zhdukur ndërkohë që operacioni i kërkim-shpëtimit është në zhvillim e sipër.