
...
Kryeministri sllovak Robert Fico ka lënë spitalin kur u bënë dy javë nga atentati nga i cili mbeti i plagosur rëndë.
Spitali në qytetin qendror Banska Bistrica deklaroi se kreu i qeverisë tani po i merr mjekimet në shtëpi.
Fillimisht ai u transportua në spitalin e kryeqytetit Bratisllavë dhe prej andej në banesën e tij.
59-vjeçari luftoi për jetën pasi u qëllua 4 herë në një distancë të afërt në qytetin Handlova më 15 maj, pasi përshëndeti mbështetësit në fund të një mbledhjeje qeverie.
Gjatë qëndrimit në spital, Fico iu nënshtrua disa operacioneve kirurgjike. Mbrëmjen e së enjtes, ai u dërgua me helikopter në kryeqytet. Në banesën e tij, në distriktin diplomatik të Bratisllavës, masat e sigurisë ishin rritur ndjeshëm.
Politikani veteran, që ka shërbyer si kryeministër për më shumë se 10 nga 18 vitet e fundit, u kthye në pushtet shtatorin e kaluar, në krye të një koalicioni populist-nacionalist.
Sllovakia është bërë një vend shumë i polarizuar në muajt e fundit dhe atentati vetëm sa thelloi tensionet.
Agresori i tij, i identifikuar nga mediat lokale si 71-vjeçari Juraj Cintula, ndodhet në burgim nën akuzën e tentativës së vrasjes.
Aktualisht ai po merr trajtim mendor, por nëse dënohet rrezikon ta kalojë pjesën e mbetur të jetës në qeli.