... Nami.al

SKEMA/ Si shefi i sektorit të AMP bashkëpunonte me policen dhe gazetarin për të denigruar drejtuesit e Policisë!

Detaje të reja janë zbuluar nga rasti më i fundit i hetuar nga Sektori i Hetimeve të Krimit Kibernetik të Tiranës që vuri në pranga një punonjëse të AMP-së dhe një gazetar.

Në kërkim është shpallur shefi i sektorit në AMP, Kushtrim Selimi.

Selimi përmes portalit që kishte hapur me Regina Omerin (efektiven e AMP) dhe Ervis Hasanagën (gazetari) kishin arritur të publikonin shkrime për drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit.

Qëllimi ishte denigrimi i tyre në publik përmes lajmeve të rreme. Kushtrim Selimi donte që përmes këtyre shkrimeve, përmes presionit, të emërohej drejtor.

Jo më kot, lajmet kishin shënjestruar drejtues të lartë të policisë si Muhamet Rrumbullakun, Neritan Nallbatin, Rebani Jaupin, Florjan Sulejmanin etj.

Në celularët e të arrestuarve janë gjetur dhe mesazhe komunikimi me persona të tjerë me qëllim për t’i vendosur gjoba. Denoncimi është bërë nga disa persona dhe drejtues policie të prekur nga këto shkrime.

Njoftimi i policisë:

Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve kibernetike dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Antonimet”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit:

R. O., 34 vjeçe, punonjëse në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore në Drejtorinë Rajonale Durrës;

E. H., 35 vjeç, me profesion gazetar.

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi K. S., 39 vjeç, me detyrë shef sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se këta tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ndryshonin dhe fshinin të dhëna kompjuterike në formate teksti, pa të drejtë, për krijimin e të dhënave të rreme ndaj disa titullarëve të institucioneve të ndryshme, duke denigruar figurën e tyre, me qëllim paraqitjen dhe përdorimin e tyre si autentike, në një faqe interneti.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 celularë.

Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Përshkrimi i imazhit