“Gjenocidi në Gaza, më i pashembullti në histori”, eksperti: U hodh bomba 2000 kg…

“Ndodhemi në ditën e 234 të gjenocidit në Gaza”, kështu tha eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Marlind Laçi i cili ishte këtë të martë në “Now me Erla Mëhillin”, në Euronews Albania.

Laçi tha se pa diskutim kemi të bëjmë me një gjenocid, i cili nuk ka nisur 234 ditë më parë kur mediat filluan të flasin për kundërpërgjigjen e Izraelit ndaj Hamasit, por ka nisur shumë më herët.

“Ky është gjenocidi më i pashembullt dhe gjenocidi më i dokumentuar në të gjithë historinë e njerëzimit. Nuk bëhet fjalë për një gjenocid vetëm 234 ditor, por për një gjenocid thuajse 107-vjeçar”.

Duke u ndalur te publikimi i një fotoje me shkrimin “All eyes on Rafah” (Të gjithë sytë drejt Rafahut) e cila sot është shpërndarë gjerësisht në media sociale, eksperti Laçi tha:

“Njerëzit e lirë e kanë kuptuar se po jetojnë në burgun e madh të një zionizmi ndërkombëtar dhe e gjithë bota që para se të ndodhte ajo që po ndodh në Gaza pretendonte se ishte e lirë, por në fakt ata qytetarët e Gazës që me gjakun e tyre po përpiqen të krijojnë një shtet të lirë për popullin e tyre, ata po vërtetojnë se ata kanë qenë njerëzit e lirë në këtë botë”.

Ndërsa foli për sulmin e ndodhur të dielën, më 26 maj, në Rafah ku u vranë mbi 46 persona, mes të cilëve gra dhe fëmijë, eksperti Laçi tregoi se bomba e përdorur ishte 2000 kilogram dhe ajo që shkaktoi ishte e tmerrshme.

“Meqë u tha Izraeli ka të drejtën e vetë të mbrojtjes, po nga kush po vetëmbrohet Izraeli? Nga ai fëmija që shfaqet pa kokë atje, apo nga ato gratë gjymtuara të cilat po masakrohen me deri në 2000 kilogram bomba? Përmasa e bombës së hedhur në Rafah ka qenë 2000 kilogram”.