...
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, ka zbuluar se njëri prej autorëve të dhunimit të avokatit Sokol Mëngjesi është vetëdorëzuar në Polici.
Përmes një deklarate për mediat Vocaj tha se për këdo që siguron informacion për kapjen e autorëve të ngjarjes, ka një shpërblim prej 20 mijë eurosh.
Ai tregoi gjithashtu edhe zanafillën e konfliktit që çoi në dhunimin brutal të avokatit të ish-kryeministrit Sali Berisha.
“Nga veprimet hetimore rezulton se Mëngjesi është goditur për shkak të detyrës. Avokati ka përfaqësuar ligjërisht në një proces civil në shkallë të parë dhe në apel një familje që kishte të trashëguar një pronë në Tiranë.
Proces që është fituar nga pala e përfaqësuar prej tij. Disa nga trashëgimtarët nuk kanë pranuar të plotësojnë kushtet ligjore të nënshkruara me studion ligjore ‘Alterun SHPK’. Është shoqëruar edhe shtetasi Dritan Jani Nano, 58 vjeç, banues në Tiranë. Ai dyshohet si organizator i kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.
Materialet do i kalojnë Prokurorisë për veprën penale ‘vrasja e funksionarëve publikë mbetur në tentativë’. Ndërkonë Policia e Tiranës, e mbështetur nga RENEA vijojnë operacionin për kapjen e 4 personave të shpallur në kërkim.
Për çdo informacion që do të çojë në kapjen e autorëve, Policia vë në dispozicion 20 mijë euro. Edhe një gjë, sapo është vetëdorëzuar një nga autorët kryesorë, Dorian Beqir Alia, 32 vjeç, i cili po shoqërohet në Policinë e Tiranës”, tha Vocaj.