CNN: Në sulmin ndaj Rafahut u përdor bomba amerikane, GBU-39

Televizioni amerikan, CNN, duke u mbështetur në analizën e pamjeve nga vendi i sulmit izraelit ndaj një kampi të personave të zhvendosur në Rafah të Gazës dhe në mendimin e ekspertëve të armëve, raporton se në këtë rast është përdorur municion i prodhuar në ShBA.

Të paktën 45 persona u vranë dhe mbi 200 të tjerë u lënduan pas shpërthimit të zjarrit që pasoi nga një sulm i ushtrisë izraelite në periferi të qytetit më jugor të Gazës, shumica gra e fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza dhe mjekëve palestinezë, raporton televizioni CNN.

Në pamjet e siguruara nga televizioni CNN shihen pjesë të mëdha të kampit në Rafah në flakë, shumë burra, gra e fëmijë duke kërkuar me furi strehë nga sulmi me ankth. Trupa të djegur, përfshirë disa të fëmijëve, mund të shihen duke u nxjerrë nga rrënojat nga punëtorët e shpëtimit.

Në video të shpërndara në rrjete sociale, të cilat televizioni CNN i ka lokalizuar në skenën e njëjtë përmes ndërlidhjes së hollësive, përfshirë shenjën në hyrje të kampit dhe tjegullat në tokë, shihet bishti i një bombe amerikane të tipit GBU-39, sipas katër ekspertëve të armëve shpërthyese, të cilët e analizuan videon për televizionin CNN.

Bomba GBU-39, që prodhohet nga kompania “Boeing”, është municion me precizitet të lartë, “e dizajnuar për të sulmuar shënjestra me rëndësi strategjike” dhe rezulton në dëm të vogël kolateral, tha eksperti i armëve, Chris Cobb-Smith. Megjithatë, ai shtoi se “përdorimi i çfarëdo municioni, edhe i kësaj madhësie, gjithmonë do të shkaktojë rreziqe në një zonë me popullsi të dendur”.

Trevor Ball, ish-anëtar i lartë i ekipit për largimin e municioneve në Ushtrinë e ShBA-së, gjithashtu e identifikoi pjesën si fragment i bombës GBU-39.

Edhe numrat serikë të mbetjeve të municionit ndërlidhen me një prodhues të pjesëve të bombës GBU-39 me seli në Kaliforni të ShBA-së.

Dy ekspertë të tjerë të armëve shpërthyese – Richard Weir, hulumtues i lartë i krizave dhe konflikteve në organizatën “Human Rights Watch”, dhe Chris Lincoln-Jones, ish-oficer artilerie në Ushtrinë Britanike – e identifikuan fragmentin si pjesë e një bombe GBU-39 të prodhuar në ShBA, kur e analizuan videon për televizionin CNN./Nacionale