... Nami.al

Argita Berisha: Avokati u rrah për shkak të detyrës! PD: Urdhër i Ramës!

Në spitalin e Traumës, avokati i rrahur i Sali Berishës, Sokol Mëngjesi u vizitua nga kolegë të tij dhe nga Argita Berisha. Ajo ka thënë se dyshimet për rrahjen janë për shkak të detyrës sepse avokati “nuk ka asnjë konflikt tjetër”.

“Avokati u sulmua për shkak të detyrës. Kush e njeh Sokolin e di sa njeri korrekt është. Nuk ka asnjë konflikt tjetër. Ai është në reanimacion nuk e takova dot por fola me familjarë dhe mjekë. Duhet të presim për të parë gjendjen e tij” është shprehur Argita Berisha gjatë një prononcimi për Top Channel.

Ndërkohë nga selia e PD, zëdhënësja e Berishës, Floriana Garo i ka rënë shkurt dhe ka thënë se njerëzit që goditën avokatin i urdhëroi Edi Rama.

“Tre bandite, te urdhëruar nga Edi Rama, kane sulmuar dhe goditur me leva në kokë në qendër të Tiranës, profesor Sokol Mëngjesin, avokati i mirënjohur i kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Ky është një akt kriminal dhe hakmarrje e verbër, primitive e Edi Ramës ndaj profesor Sokol Mëngjesit, sepse ai së bashku me kolegët e tij, faktuan para shqiptarëve me prova dhe dokumente zyrtare të pakundërshtueshme, se procesi gjyqësor kundër kryetarit të Partisë Demokratike është një proces kryekëput politik i bazuar ne një piramidë mashtrimi, siç është çështja e Klubit Sportiv Partizani” u shpreh Garo.

Avokati i Berishës, Sokol Mëngjesi po linte fëmijën në kopsht kur u rrah barbarisht nga tre persona të paidentifikuar këtë të mërkurë. Autorët e kanë gjurmuar avokatin kur ka dalë nga banesa e tij në zonën e ish-Bllokut dhe i kanë zënë pritë.

Incidenti ndodhi rreth orës 08:30 në kopshtin 31. Autorët, që paraprakisht dyshohet se ishin tre, e qëlluan 34-vjeçarin me dorezë metalike në kokë. Avokati u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës.

Përshkrimi i imazhit