
...
Projektligji për privatizimin e pronës shtetërore ka shkaktuar debate në nisje të seancës së kësaj të enjteje. Ishin deputetët e PD të cilët kërkuan që pr.ligji të hiqej nga rendi i ditës, kërkesë e cila u rrëzua nga maxhoranca socialiste.
Depuetetja Dhurata Çupi tha se ligji është anti-kushtetues dhe është bërë me qëllimin e vetëm nga qeveria për t’ia dhënë pronat shtetërore oligarkëve.
“Është një ligj antikushtetues, që shkatërron vendin. Po synoni në mënyrë abzuive që pronat shtetërore t’ia jepni privatit, oligarkëve. Po kërkoni të jepni pronën publike tek Teatri dhe shumë prona te tjera. Zonja Kryetare e Kuvendit, ju kërkoj ta tërhiqni këtë ligj”, tha Çupi.
Edhe deputeti i PD Arbi Agalliu, kërkoi që pr.ligji të hiqet nga rendi i ditës dhe të hidhet për konsultim publik, pasi u vjen në shërbim vetëm klientëve të qeverisë.
“Janë amendamente që s’kanë kaluar konsultim publik. Keni futur javën e kaluar dy amendamente që ndryshojnë thelbin e këtij pr.ligji, duhet ta tërhiqni, ta kaloni në konsultim publik. Abuzim me pronat publike janë të tmerrshme”, tha ai.
Deputetëve demokratë iu përgjigj iniciuesi i këtij pr. ligji në radhët e socialistëve, Eduart Shalësi: “Unë jam iniciuesi i këtij propozimi. Çdo godinë shtetëror e do i jepet privatit. Ja u thash dhe atë ditë, në rastin më të mirë jeni e painformuar, në rastin më të keq me ligësi kërkoni të dezinformonani. Pse nuk qëndruar në komisionin e ligjeve teksa jepja argumente. Pse nuk dëgjove rastet kur qeveria e kaluar kishte shkëmbyer prona me privatin. Synimet janë të qarta, po sanksionojmë një të drejtë që është në Kodin Civil, asgjë më shumë, asgjë më pak”.