Biden dhe Trump pranojnë ftesën e CNN: Përballje televizive më 27 qershor

Presidenti amerikan Joe Biden dhe paraardhësi i tij në detyrë, njëherësh kandidat i Republikanëve për Presidencialet 2024, Donald Trump, do të kenë një përballje të bujshme televizive, edhe pse ishte përfolur se diçka e tillë nuk do të ndodhte.

Ata kanë pranuar të dy një ftesë nga CNN për të debatuar më 27 qershor, në një përballje historike që do t’i japë një hov të ri objektivave të secilit për muajt e fundit të fushatës.

“Kam marrë dhe kam pranuar një ftesë nga CNN për një debat më 27 qershor. Ju pres ju, Donald. Siç thatë ju: kudo, në çdo kohë, në çdo vend”, shkroi Biden në një postim në platformën X.

Pas këtij reagimi të Presidentit, një zyrtar i fushatës së Trump bëri të ditur për CNN se edhe ish-Presidenti e kishte pranuar ofertën.