Vdekja e dy punëtorëve në Shëngjin, policia ushtron kontrolle në 2 kantierët e ndërtimit

Policia e Lezhës ka ushtruar kontrolle paraditen e kësaj të hëne në dy kantiere ndërtimi në Shëngjin, pas ngjarjeve të rënda të ndodhura së fundmi, ku dy punëtorë humbën jetën gjatë orarit të punës.

Mësohet se Policia ka kërkuar bashkëpunim për Inspektoratin e Punës dhe Inspektoratin vendor, për t’i dhënë fund paligjshmërisë, nisur nga fakti se ndërtimet në pallat, po kryheshin pa leje dhe se nuk ishin marrë masat për sigurimin e rregullave të mbrojtjes në punë.

Një ndër rastet u regjistrua një ditë më parë ku humbi jetën në vendin e punës punëtori, Preng Gjoni. Ndërsa rasti tjetër është ai i një 28-vjeçari i cili ra aksidentalisht nga lartësia e pallatit ku po punonte dhe për pasojë ndërroi jetë. Lidhur me rastet, njoftohet se punimet janë pezulluar në të dyja kantieret.