Vranë të birin e dehur, dërgohen në gjyq prindërit 80-vjeçarë në Korçë

77-vjeçari Shefki Bylykbashi dhe gruaja e tij do të dërgohen për gjykim më në fund, pasi prokuroria e Korçës i mbylli hetimet se kush e vrau të birin e tij Hamdiun 50-vjeçar dhe kush e fshehur krimin.

Sipas Prokurorisë së Korçës, babai nuk e ka duruar më gjendjen e dehur të të birit dhe dhunën që ai kishte filluar të ushtronte mbi të dhe të emën që pas divorcit dhe kthimit nga Franca dhe në një moment zemërimi, e ka goditur me çekiç në kokë për ta vrarë. E shoqja, nëna e viktimës, është bërë bashkëfajtore pasi e ka fshehur krimin e gjendur në këtë situatë.

Në një seancë gjyqësore para disa muajsh, Shefki Bylykbashi, i rënduar dhe i prekur, dume mos dashur të shfaqej në media, u shpreh “Mos u tallni, njeri jam dhe unë…”

“Më bezdiste shumë kohët e fundit, ai më parë nuk pinte kështu, por filloi të pinte çdo ditë. Nuk duroja dot më këtë sjellje. Nuk doja ta bëja këtë veprim, nuk doja ta vrisja, por nuk po më mbante më durimi, ma solli në atë pikë që nuk duroja dot më”, tha ai në atë kohë.

Në vijim, njoftimi zyrtar.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, mbylli hetimet dhe dërgoi në gjyq shtetasit Shefki Bylykbashi. i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” si dhe shtetasen H.B. për kryerje të veprës penale “Deklaratat e rreme para oficerit të policisë gjyqësore”, parashikuar nga neni 305/ i Kodit Penal.

Nga tërësia e provave të grumbulluara gjatë hetimit për procedimin penal nr.126/2023, rezulton e provuar se në datën 17 shkurt 2023, rreth orës 16:00, është marrë njoftim se në Urgjencën e Spitalit Rajonal Korçë, ishte transportuar me autoambulancë për të marrë ndihmë mjekësore shtetasi Hamdi Bylykbashi, me dëmtime në pjesën e kokës.

Ky shtetas, pak çaste më vonë, ka ndërruar jetë në ambientet e reanimacionit të këtij spitali. Sipas pretendimeve të para të familjarëve, ai ishte rrëzuar dhe kishte vrarë kokën, në oborrin e banesës, duke qenë në gjendje të dehur.

Nga veprimet hetimore, rezultoi se ngjarja e paraqitur si aksidentale, në fakt ishte ngjarje kriminale dhe në orën 2:00 të datës 18 shkurt 2023, u bë arrestimi në flagrancë i babait të viktimës, shtetasit Shefki Bylykbashi si i dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale, konkretisht “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, parashikuar nga neni 79/c i K.Penal”, i cili pranoi autorësinë e krimit.

Është marrë deklarim nga shtetasia H.B., mamaja e viktimës, e cila ka deklaruar se i biri është kthyer nga Franca pasi është divorcuar me të shoqen dhe që atëherë konsumonte shumë alkool.
Ajo ka qenë me bashkëshortin në banesë kur ka dëgjuar zhurmën e derës së oborrit. Ata kanë dalë dhe kanë parë Hamdiun, i cili ishte i gjakosur nga koka dhe ata e kanë futur në shtëpi. Çka nuk rezultoi e vërtetë.

Sa më sipër, nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera dhe aktet e administruara në fashikullin e procedimit penal, rezulton e provuar se shtetasi Shefki Bylykbashi ka konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal, pasi me veprimet e tij aktive, të kundërligjshme, të kryera me dashje, ka vrarë djalin e tij, shtetasin Hamdi Bylykbashi.

Në rastin konkret, autori me dashje dhe me vullnet të plotë si dhe me qëllimin për ta vrarë, ka goditur djalin e tij në kokë, disa herë. Ai ka marrë dhe ka përdorur çekiç gurësh dhe dru zjarri si armë të krimit dhe pasi i ka dhënë goditjet fatale të birit, është përpjekur ta mbulojë krimin si vetëdëmtim të viktimës, duke përforcuar idenë që veprimet e tij në drejtim të vrasjes të të birit kanë qenë të vullnetshme dhe të qëllimta për të sjellë pasojën e dëshiruar, humbjen e jetës të të birit.

Sa më sipër e bazuar në kërkesat e nenit 331 të K.Proc.Penale Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, kërkoi:

“Dërgimin në gjyq të çështjes penale Nr.126/2023 me të pandehur shtetasin Sh. B., akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, parashikuar nga neni 79/c i K.Penal dhe me të pandehur shtetasen H. B., akuzuar për kryerjen e veprës penale “Deklaratat e rreme para oficerit të policisë gjyqësore”, parashikuar nga neni 305/b i Kodit Penal.”