
...
Kryeministri Edi Rama nis sot turin me diasporën nga Athina. Takimi pritet të nisë në orën 11:00 në kryeqytetin grek. Takimi i parë i turit ‘Krenar për Shqipërinë’ mbahet në stadiumin ‘Galatsi’, në sallën “Christmas Theater”.
Kreu i qeverisë pritet të mbërrijë në aeroportin ”Eleftheros Venizelos” rreth orës 09:00 dhe për mbarëvajtjen e këtij takimi janë marrë masa të rrepta sigurie me qindra punonjës policie. Rama do të jetë i shoqëruar me rreth 50 gazetarë, por dhe rreth 100 bashkëpunëtorë të tij ministra e deputetë.
Përpos fjalimeve, në stadiumin ‘Galatsi’ do ketë edhe spektakël, pasi për shqiptarët që do të bëhen pjesë e këtij takimi do të performojnë këngëtarët Era Rusi, Ylli Baka e Noizy.
Ministrja Elisa Spiropali dhe sekretari i Përgjithshëm Blendi Klosi do të mbajnë fjalime që do të pasohen nga fjala e kryeministrit Rama. Pas takimit, kryesocialisti do të ketë një takim me strukturat e degës së PS në Athin ku do të shpërndaje dhe kartat për anëtarët më të rinj të kësaj force në emigracion.
Qeveria greke pavarësisht rezervave për mbajtjen e këtij takimi përpara zgjedhjeve europiane të 9 qershorit, ka marre masa për mbarëvajtjen e tij.
Pas Athinës Rama do të jetë në Milano, Londër dhe Duseldorf për t’u takuar me shqiptarët që jetojnë në Itali, Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani.
Kreu i qeverisë ka publikuar një video në rrjetet sociale pak momente më parë me moton “Krenar për ju”, ndërsa bashkëngjitur është flamuri shqiptar dhe ai grek.